Edita Tahiri dhe Agim Bahtiri dje në "Dolce Vita" | Foto: ZKM

Zjarri Djeg Kopshtin e ‘Dolce Vitas’

Zjarr i fuqishëm shpërtheu në orët e hershme të mëngjesit në kafe-barin “Dolce Vita” afër urës së Ibrit.

Lajmin për këtë zjarr e konfirmoi për KALLXO.com shefi i operativës në Policinë e Kosovës në Veri Zhelko Bojiq.

“Në mëngjes, në orën 03:07 shpërtheu zjarri në kopshtin e kafe-barit ‘Dolce Vita’. Menjëherë u lajmëruan patrullat e policisë që dolën në vend të ngjarjes, bashkë me komplet ekipin e forenzikës [shikimit të vendit të ngjarjes] dhe njësia e zjarrfikësve që shoi zjarrin,” tha Bojiq,

Ai më tutje bëri të ditur se rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Dje në këtë lokal që më herët “strehonte” “Rojat e Urës” gjatë një vizite në Mitrovicë qëndroi dhe piu kafenë ministrja për Dialog Edita Tahiri dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri.

Shefi i operativës së Policisë Zhelko Bojiq tha se ende nuk mund të thuhet se cili është motivi i këtij zjarri.

“Ekipet janë në terren dhe do t’i marrin pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, ndërsa ende nuk mund të thuhet cili ishte motivi i këtij zjarri,” tha Bojiq për KALLXO.com.