Zoran Zaev - Foto: REL/Reuters

Zaev: Sot festë e vërtetë, pres konfirmimin e politikës euroatlantike

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas votimit në referendumin e së dielës, ka shprehur besimin e plotë se votimi do të jetë i suksesshëm dhe se me këtë do të plotësohet dëshira e qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

“Sot është festë e vërtetë. Unë pres që përmes masovitetit në votime, me pjesëmarrjen e madhe, edhe një herë të konfirmohet uniteti multietnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm politik i qytetarëve pa dallim përkatësie politik… Unë besoj se një shumicë e madhe e qytetarëve do të jenë PËR pasi më shumë se 80 për qind e qytetarëve janë për NATO-në dhe BE-në. Unë besoj se kjo shumicë dërrmuese si në çdo demokraci, do të jetë një udhërrëfyes i saktë, për ne politikanët dhe për Kuvendin që t’i ndjek dëshirat e qytetarëve dhe në fund.

“Kuvendi do të votojë për këtë dëshirë të tyre, pasi atje konfirmohet e ardhmja jonë”, ka deklaruar Zaev pas votimit në Strumicë, qytet në jug të Maqedonisë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti votimin e të dielës e ka vlerësuar si historik për të ardhmen e vendit, sigurinë, paqen dhe mirëqenien e qytetarëve. Pas votimit në Zajas të Kërcovës, Ahmeti ka thënë se pret që nga 1 tetori Maqedonia të jetë më pranë BE-së dhe NATO-së.

“Ky është një moment historik për vendin tonë dhe besoj se këtij procesi të rëndësishëm qytetarët me qetësinë më të madhe edhe do t’i përgjigjen..Unë pres që qytetarët në këtë referendum të vendosin për të ardhmen e tyre”.

“Në të gjithë jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë pranë vendeve ku ne aspirojmë, pranë Bashkimit Evropian, por edhe pjesë e NATO-s, që Maqedonia të ecë para, por edhe të realizoj qëllimet e veta historike për të instaluar paqen të qëndrueshme, siguri për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, investime e zhvillim ekonomik “, ka deklaruar Ahmeti.

Votimi zhvillohet në 3.480 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit ndërsa do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.

Referendumi ka karakter konsultues, por bazuar në dispozitat kushtetuese, dalja në referendum duhet të jetë mbi 50 për qind të trupit të përgjithshëm votues, edhe pse për këtë ka pasur debate e interpretime të ndryshme, nëse me daljen eventuale nën 50 për qind do të konsiderohej i dështuar ose jo.

Referendumi pason marrëveshjen që kanë arritur Maqedonia dhe Greqia, më 17 qershor, në Prespë, për mbylljen e kontestit 27 vjeçar për emrin. Zgjidhja parasheh që Maqedonia të ndërrojë emrin në “Maqedonia e Veriut”.

Veç kësaj, maqedonasit kanë pranuar se nuk kanë lidhshmëri me maqedonasit antik sikur edhe gjuha maqedonase e cila në bazë të marrëveshjes i takon grupit të gjuhëve sllave.

Si këmbim, Greqia e cila supozonte se Maqedonia ka pretendime territoriale ndaj rajonit të saj verior me të njëjtin emër do të zhbllokoj procesin e anëtarësimit të fqinjit të saj verior në NATO dhe BE.

Por, marrëveshja ka ndarë partitë në Maqedoni në dy blloqe, për dhe kundër marrëveshjes.

Partia e kryeministrit, Zoran Zaev, Lidhja Social-Demokrate dhe partitë shqiptare kanë pranuar marrëveshjen dhe kanë ftuar qytetarët të dalin në referendum dhe të mbështesin paktin me Greqinë, si alternativë të vetme për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Kryeministri, Zaev gjatë gjithë kohës ka mbrojtur marrëveshjen duke theksuar se më të mbrohen interesat kombëtare e shtetërore, si identiteti, gjuha e trashëgimia kulturore maqedonase.

Por, partitë e opozitës të udhëhequra nga VMRO DPMNE-ja e Hristijan Mickovskit dhe presidenti, Gjorge Ivanov, marrëveshjen e kanë quajtur “kapitulluese”.

Opozita ka vendosur që të mos bëjë thirrje për dalje apo mos dalje në referendum, por kjo në opinion është interpretuar si bojkot në heshtje. Presidenti ndërkohë publikisht ka bërë të ditur se nuk do të votojë.

Marrëveshja ndërkohë mbështetet fuqishëm nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se “votimi më 30 shtator është më i rëndësishmi në historinë e Maqedonisë.”

Ndërkombëtarët këtë mbështetje e kanë reflektuar edhe me vizita të shumta të nivelit të lartë, si ajo e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe sekretarit amerikan të mbrojtjes, James Mattis. (REL)