Pankartat në oborrin e Komunës së Suharekës | Foto: KALLXO.com

VV ‘Stolis’ Komunën e Suharekës me Pankarta për Dështimet

Aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” zhvilluan sot një aksion në oborrin e Komunës së Suharekës, duke vendosur aty pankarta me ato që i konsideruan dështime të pushtetit lokal.

Në pankarta, zyrtarët komunalë nga aktivistë të “Vetëvendosjes” u quajtën “të korruptuar, shkelës të ligjit dhe shkatërrues të pyjeve”.

“Vetëvendosja” në pankarta gjithashtu akuzoi zyrtarët komunalë të Suharekës për mungesë transparence, dhënie të tenderëve militantëve dhe familjarëve.

Dështimet e pretenduara nga LVV-ja kryetarit të Komunës së Suharekës Sali Asllanaj para objektit komunal i numëroi kryetari i Qendrës në Suharekë, Leonard Shala.

“Komuna e Suharekës dhe kryetari i komunës do te mbahet mend për dhjetëra punësime familjare, si shkatërrues të kulturës, qindra ndërtime pa leje, tenderë për militantë dhe familjar ëtë LDK-së”

Aksioni vazhdoi edhe në qendër të qytetit, ku “Vetëvendosja” kontestoi vlerën e blirëve të mbjellë nga komuna.

LVV-ja akuzoi komunën se ka paguar 150 euro për një bli, edhe pse konstatoi se një dru i tillë çmimin real në treg e ka 15 euro.

KALLXO.com tentoi të marrë edhe qëndrimin e zëdhënësit të Komunës së Suharekës Reshat Reshitaj në lidhje me akuzat që LVV-ja u bëri kryetarit dhe zyrtarëve komunalë, por kontakti me të ishte i pamundur.

“Vetëvendosja” një aksion të ngjashëm e zhvilloi edhe në Pejë më 23 dhjetor.

http://kallxo.com/vetevendosje-numeron-deshtimet-e-komunes-se-pejes/