Presidenti kinez, Xi Jinping - Foto: REL/AFP

Xi nis vizitën në Francë

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, arriti më 5 maj në Francë në vizitë shtetërore, ku do të takohet me homologun e tij francez, Emmanuel Macron. Udhëheqësi francez pritet që të bisedojë me Xi-në për një sërë çështjesh, nga Ukraina e deri te tregtia.

Vizita e Xi-së në Francë përkon me 60-vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike mes Francës dhe Kinës.

Kjo është vizita e parë e udhëheqësit kinez në Evropë, që nga viti 2019. Gjatë turneut evropian, ai do të vizitojë edhe Serbinë e Hungarinë.

Zgjedhja që Xi bëri për ta vizituar Francën si fuqi evropiane vë në pah raportet e ngrohta mes Kinës dhe Francës, që kur Macron e bëri vizitën e tij të parë në Kinë në prill të vitit 2023.

Televizioni shtetëror kinez, CCTV, tha se avioni i Xi-së arriti në Paris pasditen e së dielës.

Ai, së bashku me gruan e tij Peng Liyuan, u prit në aeroport nga kryeministri francez, Gabriel Attal.

Të hënën, Xi do të zhvillojë takime në Paris, përfshirë një takim me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Takimi do të mbahet pas një pritjeje shtetërore nga Macroni.

Të martën, dy udhëheqësit do të qëndrojnë në malet Pirinej, ku do të zhvillojnë edhe bisedime.

Një prioritet kyç i Macronit gjatë bisedimeve është që ta paralajmërojë udhëheqësin kinez nga rreziku që paraqet mbështetja e Rusisë në pushtimin e saj të Ukrainës.

Zyrtarët perëndimorë kanë shprehur shqetësime se Moska veçse po përdorë pajisje kineze në prodhimin e armëve.

Raportet e Pekinit me Moskën kanë qenë të mira edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 2022 dhe Perëndimi dëshiron që Kina, mbi të gjitha, të mos e furnizojë me armë Rusinë.

“Është në interesin tonë që Kina të ndihmojë në stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Prandaj, ne duhet të punojmë me Kinën për të ndërtuar paqe”, tha Macron gjatë një interviste për Economist, që u publikua të enjten.

Ai po ashtu tha se Evropa duhet të mbrojë “interesat strategjike” të saj në raportet ekonomike me Kinën, duke e akuzuar Pekinin se nuk po respekton rregullat e tregtisë ndërkombëtare.

Pas Parisit, Xi do ta vizitojë Serbinë e Hungarinë, të cilat krenohen se kanë dy nga qeveritë më miqësore me Kinën në Evropë.

Udhëheqësi kinez do të jetë në Beograd më 7 maj në ditën kur do të shënohet 25-vjetori i bombardimit nga NATO-ja i Ambasadës së Kinës në Beograd në vitin 1999. Kjo ditë shërben si një ngjarje e madhe në marrëdhëniet e vendeve dhe nxit një armiqësi të përbashkët të Kinës dhe Beogradit ndaj aleanca ushtarake perëndimore.

Në Serbi, zyrtarët kinezë kanë paralajmëruar nisma për investime të reja dhe Xi pritet që gjatë takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, ta ftojë Serbinë që të bëhet pjesë e grupit BRICS.

Në Hungari nga 8-10 maj, Xi pritet të bëjë publike gjithashtu një mori marrëveshjesh të reja me Budapestin./REL