VV: Rastet e profileve të larta për korrupsion, po sabotohen brenda prokurorisë

Lëvizja Vetëvendosje sot organizoi një tryezë mbi korrupsionin e profilit të lartë, në të cilën u diskutua se si korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kthyer në problemin kryesor në Kosovë.

Në njoftimin e VV-së thuhet se projektet e mëdha publike po përdoren jo për zhvillim, por për të zhvatur paratë dhe se pavarësisht skandaleve të shumta, nuk kemi asnjë dënim përfundimtar për rastet e korrupsionit të profilit të lartë.

“Akt-akuzat që ngrihen përgjithësisht bazohen në agjenda partiake apo në grupe të tjera të interesit brenda policisë dhe gjykatave. Shumica janë ngritur për shkelje administrative dhe jo për korrupsion. Dosjet e tyre kanë gjysmë-prova dhe gjysmë-të-vërteta. Aktakuzat e shumta të prokurorisë speciale që rrëzohen që në seancën fillestare tregojnë se ato ngrihen qëllimisht për të dështuar.”, është shkruar në njoftim.

Gjithashtu VV ka përmendur edhe rrëzimin e akt-akuzës së prokurorit Blakaj për listat e rreme të veteranëve, duke thënë se kryeprokurori i Kosovës ka ardhur në detyrë falë aferës Pronto, prandaj edhe puna e prokurorisë po sabotohet nga brenda.

Sipas tyre, kryeprokurori Lumezi ka centralizuar prokurorinë deri në pikën sa çdo procedim për korrupsion në nivele të larta, duhet paraprakisht të miratohet prej tij.

“Për të ndryshuar gjendjen e drejtësisë është i domosdoshëm ndryshimi politik i qeverisë; Kërkohet vetting në gjyqësor dhe në prokurori; Kryeprokurori duhet të jetë politik që të mbajë përgjegjësi për mosveprim; Nevojitet ligji antimafia; Duhet themeluar një prokurori speciale për krimin e organizuar dhe korrupsionin; Buxheti duhet proceduar në Kuvend 3 muaj më herët që të rritet transparenca;”, janë disa nga rekomandimet e VV-së.

Në vazhdën e rekomandimeve janë edhe mbrojtja e prokurorëve dhe gjyqtarëve për çështjet kur u rrezikohet jeta dhe jo të kërcënohen nga instancat shtetërore.

Tjetër rekomandim është edhe rritja e kapaciteteve financiare dhe njerëzore për hetimin dhe gjykimin e korrupsionit në nivele të larta.

”Lëvizja do ta vazhdojë përpjekjen për të ngritur një front të përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me të gjithë ekspertizën e nevojshme dhe me të gjithë forcën politike për t’i dalë ballë atij.”, thuhet në njoftim.

Përpos deputetëve të pozitës dhe opozitës, pjesë e kësaj tryeze ishte edhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Berat Thaçi nga Instituti GAP dhe Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK.