VIDEO - Qyetarët pa Qasje në Sheshin e Inaugurimit

Bislim Ademi ka dalë në qendër të Prishtinës për ta parë inaugurimin e Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, por është ndeshur me rrathët e policisë të cilët nuk e kanë lejuar as t’i afrohet sheshit “Skënderbeu”.

Në këtë shesh, organizatorët e ceremonisë kanë përgatitur skenën me flamuj të Kosovës në të cilën pas gjysmë ore pritet të ngjitet Hashim Thaçi si President i Kosovës.

Raportohet se rreth 1.000 mysafirë janë ftuar të marrin pjesë në këtë ceremoni.

Por për Bislim Ademin dhe qytetarët tjerë të interesuar aty nuk ka vend.

“Kam dalë ta shoh inaugurimin por nuk po mundem të shkoj. Nuk po na lë policia, ma shumë ka policë se popull”, thotë qytetari nga Prishtina për KALLXO.com.

Ndërsa Qazim Alia ka ardhur nga Kishnica, një fshat rreth 10 kilometra për ta parë inaugurimin.

Ai habitet me luksin e dedikuar për këtë ceremoni.

“Nuk i ka pasë rendet (për këtë ceremoni) sepse fukarallëku na ka mbulu të gjithëve”, thotë Qazim Alia.