Veseli komenton ditën e sotme: Kosova nuk fitoi asgjë, qytetarët humbën

Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është lajmëruar pas protestës së Vetëvendosjes e pas vizitës së presidentit në veri të vendit.

Për Veselit, Kosova sot nuk fitoi asgjë, ndërsa qytetarët humbën.

“Duhet të marrë fund kjo politikë e mbrapshtë, që prodhon situata manipuluese dhe të rrezikshme për vendin, të tilla si të ditës së sotme”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Sot nuk fitoi asgjë Kosova. Sot humbën qytetarët e saj, u lëndua besimi i tyre në shtetin e Kosovës. Sot fituan inatet kundër njëri tjetrit dhe manipuluesit politikë.

Një gjë duhet ta ketë të qartë secili: Kosova, sovraniteti i saj, integriteti i saj territorial, kufijtë e saj, veriu i saj, nuk mbrohen me demonstrime të rrejshme patriotike kundër njeri tjetrit. Duhet të marrë fund kjo politikë e mbrapshtë, që prodhon situata manipuluese dhe të rrezikshme për vendin, të tilla si të ditës së sotme.

Ka vetëm një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe vetë shtetin e Kosovës: duke qëndruar të bashkuar përballë Serbisë. Rrugët tjera e kanë një emërues të përbashkët: dështimin dhe dëmtimin e shtetit. Pa asnjë dilemë!