Veseli dhe Ismaili në Drenas, premtojnë objekt të ri për Qendrën Mjeksore Familjare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, shefin e UNICEF-it sot në Drenas ka përuruar nisjen e programit të ri shëndetësor për vizitat e mjekëve nëpër shtëpitë e nënave shtatëzëna dhe atyre që kanë lindur, e cila sipas tyre lehtëson shërbimet shëndetësore.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, Veseli tha se nëpërmjet këtij projekti po shkohet drejtpërdrejt tek qytetarët dhe familjet, fillimisht nëpërmjet qendrave të mjekësisë familjare.

“Kjo është një politikë dhe një strategji, për të cilën e përgëzoj ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili është duke bërë mirë punën e vet. Është e rëndësishme që kemi filluar reformat në sektorin e shëndetësisë. Nuk ka qenë e lehtë të bëhen ndryshimet e deritashme, qoftë në përmirësimin e kushteve të punës, qoftë në përmirësimin e kushteve materiale të stafit shëndetësor”, citohet të ketë thënë Veseli.

Tutje, thuhet se kryeparlamentari u shpreh se puna e nisur nuk do të ndalet dhe ministri Ismaili ka një vizion të qartë për transformimin rrënjësor të sistemit shëndetësor.

Ndërkaq, Ismaili i siguroi ata se vitin e ardhshëm në Drenas do të ndërtohet një objekt i ri për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ismaili tha se reformat në shëndetësi do të vazhdojnë, duke shtuar kujdesin shëndetësor për pacientët por edhe duke përmirësuar kushtet për personelin shëndetësor.

Drejtori i kësaj organizate në Kosovë, Murat Sahin, tha se vizioni i UNICEF-it është që çdo fëmijë të ketë jetë të shëndetshme dhe pastaj edhe arsim më të mirë.

“Partneriteti që kemi në Kosovë me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili është model edhe për vende tjera. Ky program ka për qellim që secila grua shtatëzënë dhe nëna që ka lindur fëmijë, t’i kenë gjatë dy viteve shtatë vizita të mjekëve në shtëpitë e tyre. Gjatë 2018 në mbarë komunat ku e realizojmë këtë projekt, janë kryer mbi 15 mijë vizita në shtëpi. Dua ta falënderoj kryetarin e Kuvendit i cili na ka mbështetur vazhdimisht në realizimin e programeve tona në Kosovë”, tha shefi i UNICEF në Kosovë, Murat Sahin.

Drenasi është komuna e 16-të ku ka nisur zbatimi i këtij programi, i hartuar në bashkëpunim me UNICEF-in.