Veseli dhe Ahtisaari bisedojnë për të ardhmen e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë takimit të tij me ish-emisarin special për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisaari, ka shkëmbyer mendime me të për të ardhmen e Kosovës.

Veseli këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook, duke thënë se kujtuan së bashku punën e tij që ndihmoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

“Pata kënaqësinë ta takoj presidentin Marti Ahtisaari. Evokuam kujtime nga puna e tij që çoi në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, një ëndërr edhe përpjekje e gjatë e popullit tonë. Ne jemi krenarë që Kosova është bërë shembull i demokracisë për shumë vende”, tha Veseli.

Ai shtoi se këshillat e tij janë gjithmonë të mirëseardhura.

“Me presidentin Ahtisaari shkëmbyem shumë mendime për të ardhmen e Kosovës dhe këshillat e tij janë gjithmonë të mirëseardhura. Në ketë fazë, Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun me Serbinë, për të përmbyllur përgjithmonë çështjet e hapura mes dy vendeve dhe për te ecur si dy vende sovrane në rrugën e integrimeve evropiane. Kushtetua e Kosovës, që buron nga propozimi i presidentit Ahtisaari, është garantuese e fortë e lirisë se qytetarëve tanë, pa dallim, dhe mbrojtja e kësaj kushtetute do të jetë angazhimi ynë i përhershëm, në çdo fazë”, ka shkruar Veseli.