Bajram Pajaziti në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Vëllai i Heroit Zahir Pajaziti Deklarohet i Pafajshëm

Në shqyrtimin kryesor kundër të akuzuarve Bajram Pajaziti dhe Bajram Azemi, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të akuzuarit deklaruan para trupit gjykues se nuk ndihen fajtorë për këtë vepër.

Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, e që në këtë rast është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk ishte i pranishëm në gjykatore dhe i njëjti nuk e kishte arsyetuar mungesën.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Azemi, Valon Hasani, theksoi se në kohën që akuzohet i pandehuri Azemi, në vitin 2008, nuk ka pasur asnjë mundësi ligjore që ky dokument të nxirret nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, ndonëse një gjë e tillë ishte e domosdoshme për njohjen e këtij pensioni.

“Kërkesë e Rexhep Haxhës për njohjen e statusit të dëshmorit është dorëzuar në vitin 2008 pas shpërbërjes së Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe nuk ka pasur asnjë mundësi ligjore që të paraqesë dokumentin e lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së. Duke qenë se një situatë e tillë ka qenë e pamundur për lëshimin e këtij dokumenti, i akuzuari Bajram Azemi është bazuar në dokumente tjera si atë të lëshuar nga shoqata e familjeve të dëshmorëve në Vushtrri si dhe në deklaratat e ish komandantëve të atyre zonave”, tha Hasani.

Më tutje, avokati mbrojtës Hasani theksoi se i akuzuari Azemi kurrë nuk e ka njohur Rexhep Haxhën, por, çështja ka qenë që të mos i mohohet një familjes së dëshmorëve e drejta për diçka që i takon me ligj.

Poashtu, dy të akuzuarit Azemi dhe Pajaziti, deklaruan se asnjëherë më parë nuk e kanë njohur Rexhep Haxhën, tashmë i ndjerë.

I akuzuari Azemi theksoi se është vërtetuar edhe në forma tjera se i ndjeri Bahri Haxha ka qenë me të vërtetë dëshmor i luftës, pasi që është i varrosur në varrezat e viktimave, si dhe emri i një shkolle tani më përmban emrin e tij.

“Përveç asaj që tha mbrojtësi im, vendimit për të cilin unë sot jam i akuzuar i kanë parapri edhe dy vendime tjera. I pari është që Bahri Haxha, dëshmori, është zhvarrosë nga varrezat e viktimave civile dhe është varrosur në varrezat e dëshmorëvve, shkollës i është ndërruar emri, nga dëshmori paraprak iu ka vë emri i dëshmorit Bahri Haxha. Pas të gjitha këtyre vendimeve ne i kemi marrë vendimet për të cilat tani bëhet fjalë”, tha i akuzuari Azemi.

Ndërkaq, i akuzuari Bajram Pajaziti, njëherit edhe vëllai i heroit Zahir Pajaziti, deklaroi se e kishte nënshkruar njohjen për pension të Rexhep Haxhës pas konsultimit me juristë profesional të zyrës së vendimeve. Rexhep Haxha është babai edhe i ish kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha.

“Jo as nuk i kam njohur e as nuk i kam pa kurrë, ka qenë zyra e aplikimit ku janë dorëzuar kërkesat për dëshmore ose invalid, pastaj lëndët janë dorëzu në zyrën e sektorit të vendimeve, aty janë vendosur dhe unë i kam nënshkruar në konsultim me punëtorët e asaj zyre”, deklaroi i akuzuari Pajaziti.

Sipas aktakuzës, Bajram Azemi, në cilësinë e Kryesuesit të Divizionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, si dhe i akuzuari tjetër, Bajram Pajaziti në cilësinë e Drejtorit në po të njëjtin departament, kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, duke i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm Rexhep Haxhës.

Gjithnjë sipas aktakuzës,  Bajram Azemi e ka nxjerrë një vendim me anë të së cilës Rexhep Haxhës i njihet e drejta në pension të familjeve të Dëshmorëve, për djalin e tij të ndjerë Bahri Haxha.

Ndërkaq, prokuroria pretendon se kërkuesi i pensionit të familjes Haxha nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për njohjen e të drejtës në pension, pasi që nuk kanë pasur dokument nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së se djali i tyre, i ndjeri Bahri Haxha, është vrarë si pjesëtar i UÇK-së.

Prokuroria ngarkon të akuzuarit Pajaziti dhe Azemi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, me pretendimin se Rexhep Haxhës i kanë sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 13,900,98 euro.

http://kallxo.com/nis-gjyqi-per-dallaveret-pensionet-e-familjeve-te-deshmoreve/

http://kallxo.com/kundershtohet-aktakuza-e-korrupsionit-pensionet-e-familjeve-te-deshmoreve/