Rasti 'Stenta 2", Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Stenta’, kardiologu i akuzuar thotë iu bullizuan vajzat lidhur me akuzat ndaj tij

Në rastin e njohur si “Stenta 2” në shqyrtimin gjyqësor, 32 mbrojtës të të akuzuarve mjekë, kërkuan lirimin e klientëve të tyre nga akuzat e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, 36 të pandehurit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – dhënie e marrje ryshfeti, në atë mënyrë që pacientëve iu lëshoheshin letra refuzuese me qëllim të trajtimit të tyre jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Ky rast gjyqësor, në seancën e së premtes vazhdoi me dhënien e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.

Kardiologu i akuzuar, Besim Guta në fjalën përfundimtare theksoi se gjatë këtij procesi gjyqësor, i është shkaktuar “dëm i pariparueshëm”. Ai tregoi se si ishin bullizuar dy vajzat e tij.

“Para dy viteve çikat e mia janë bullizu se e kanë babën hajn, që i’u ka marrë njerzëve paret e nuk ja u ka qitë stentat” – shtoi tutje ai.

Gjatë fjalës përfundimtare avokati mbrojtës i të akuzuarit Lazer Prekpali, Ndue Thaqi ka theksuar se edhe me ndryshimin e dispozitivit të aktakuzës, nuk mund të provohet se për çfarë akuzohet i mbrojturi i tij ose sa është shuma që i akuzuari Prekpali i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

“Nuk jemi në gjendje me i tregu dikujt se për çka akuzohet Lazer Prekpali edhe as ai vetë nuk është në gjendje me i tregu dikujt.”

I akuzuari Lazer Prekpali deklaroi që nuk e ndjen veten fajtor për atë që i përshkuhet në aktakuzë dhe se ‘’Nuk ka pasur asnjë situatë të tillë, e kam bërë një punë që detyrohem profesionalisht ta bëjë’’.

Edhe avokati mbrojtës i të akuzuarit Nehat Rexhepi, Selami Rexhepi në fjalën përfundimtare deklaroi që prokuroria në aktakuzë nuk ka arritur t’i specifikojë veprimet apo mosveprimet e të mbrojturit të tij.

Tutje, avokati mbrojtës i të akuzuarit Lulzim Kamberi, Blerim Xharavina, në fjalën përfundimtare potencoi që e kundërshton aktakuzën dhe se nuk ka elemente qenësore përkatëse të kualifikimit juridik të të mbrojturit të tij.

‘’Infarkti akut i miokardit nuk është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare, për atë ekziston edhe njoftimi i drejtorit si dhe mbështetet edhe në dëshmitë e dy drejtorëve të SHKSUK-së’’ shtoi tutje avokati Xharavina.

Tutje, i njëjti sqaroi që i mbrojturi i tij nuk ka qenë anëtar i konsorciumit dhe as nuk ka referuar pacientë në spitale private.

I akuzuari Lulzim Kamberi, aktualisht drejtor i kardiologjisë në QKUK, në fjalën përfundimtare tha se referimi i pacientëve është bërë përkitazi me ligjin e shëndetësisë dhe udhëzimin administrativ për referimin e rasteve akute.

I njëjti tha se referimi është legal dhe se “rastet akute ne duhet t’i referojmë edhe tash e atëherë kjo do të thotë që në jemi prapë duke vazhdu me kry vepër penale meqë ende referojmë’’, ‘’Gama e referimeve është zvogëluar shumë sepse disa intervenime kryhen 24 orë gjatë 7 ditëve të javës’’ – shtoi i akuzuari Kamberi.

Pjesa tjetër e mbrojtësve pritet ta japin fjalën përfundimtare në shqyrtimin gjyqësor të caktuar më 13 shtator.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra, por i njëjti ka vdekur dhe kundër tij ka pushuar procedura.

Pjesë e këtij grupi të të akuzuarve ishte edhe Daut Gorani. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, palët në procedurë janë pajtuar që ndaj tij të veçohet procedura.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 60 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie e ryshfetit, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin, në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë.  Tani 37 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2′..

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.