Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi i të Akuzuarve për Vënie në Lajthitje të Bankës

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin e të pandehurve Ali Nurqaj, Florim Zeka, Labinot Ademi dhe Afrim Haxha, të cilët akuzohen për mashtrim, shpëlarje të parave dhe falsifikim të dokumenteve personale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Florim Zekaj dhe Ali Nurqaj në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje Florim Zekaj si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt ndërsa të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.

Të njëjtit me këtë leternjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’iu bëhet lëshimi i librezave të reja sepse kinse të vjetrat iu kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavertetë.

Në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj, në shumën prej 173.944 euro.

Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale mashtrim, e cila ndëshkohet me ligj.

Në seancën  e mbajtur me kërkesën e avokatit Nik Lumezi, mbrojtës i të akuzuarit Labinot Ademi, dëshmoi dëshmitari Naim Rexhepi.

Në pyetjen e mbrojtësit Lumezi se a ishte takuar më herët me Florim Zekën dhe Ali Nurqajn, ai deklaroi se nuk i kishte takuar më parë.

“Unë nuk i kam parë dhe nuk kam dëgjuar për ata, por e di që Labinoti ka pasë kontakte me ata në baza shoqërore”, tha dëshmitari.

Ndër të tjera në pyetjet që iu parashtruan dëshmitarit nga avokati Lumezi në lidhje me të mbrojturin e tij ishin edhe se a kishte punuar ai në firmën e tij, dhe se a i kujtohet se si është gjetur autorizimi dhe kopjet e librezave në zyrën e tij, ai u përgjigj që ato ishin sjellë nga Labinot Ademi.

“Më kujtohet që atë kohë Labinoti më ka sjell autorizimin për nxjerrjen e certifikatës tatimore, ku unë isha i autorizuar nga Avdi Fekaj pasi unë kisha për të shkuar në Beograd për punë tjera dhe e kam marrë në sportelin e agjencisë, të njëjtin ia kam sjell Labinotit dhe qëllimi i vetëm ishte që të marr vërtetimin dhe t’ia sjell atij”, tha dëshmitari.

Edhe prokurori Haki Gecaj prezantoi para Gjykatës disa audio- incizime të bisedimeve ndërmjet të pandehurve Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si dhe Florim Zekaj dhe Afrim Haxha në të cilat dëgjoheshin teksa bisedonin në lidhje me tërheqjen e parave dhe falsifikimin e dokumenteve të të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Avokati Lumezi bëri vërejtje dhe i konsideroi të paligjshme këto audio-incizime, pasi sipas tij ato janë bërë dy vite pasi që është ngritur aktakuza.

Në anën tjetër kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti i përkujtoi avokatit Lumezi se përgjimet janë të ligjshme dhe ka pasur urdhër gjyqësor nga Gjykata kompetente, si dhe janë zhvilluar gjatë kohës kur ka qenë në fuqi vendimi mbi hetimet.

Në këtë seancë gjithashtu u bë edhe administrimi i provave të tjera të propozuara nga ana e prokurorisë.