Mungon për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk mbahet seanca ndaj ish-gjyqtarit të akuzuar për shpëlarje të parave

Gjendja shëndetësore e ish-gjyqtarit, Sali Berisha, ka pamundësuar që sot ndaj tij të mbahet gjykimi. Mungesën e të akuzuarit dhe të mbrojtësit të tij, Veton Berisha, e arsyetoi mbrojtësi kryesor i të pandehurit, avokati Besnik Berisha.

ish-gjyqtari Sali Berisha në këtë rast po akuzohet për shpëlarje të parave dhe armëmbajtje pa leje.

Kujtojmë që në qershor të viti 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj ish-gjyqtarit Sali Berisha.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, mbrojtësit e të pandehurit kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm. Më tej, Prokuoria thotë se Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit “Zaza Mini”, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.