Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për tenderin e Autostradës së Gjilanit, Foto: KALLXO.com

Dëgjohet eksperti i prokurimit në seancën ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për tenderin e Autostradës së Gjilanit

Ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, të akuzuar për ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Autostradës së Gjilanit kanë dalë përsëri sot para gjykatës.

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ndërsa, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.

Sipas Prokurorisë, Betim Reçica, në cilësinë e ish-u.d. drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e Komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të autostradës së Gjilanit. Këtë vepër, sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të Komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Në seancën e sotme është dëgjuar eksperti i prokurimit Fehmi Zena, lidhur me ekspertizën financiare të të cilit patën pyetje të gjitha palët në procedurë.

“A kishte diskriminim apo favorizim në këtë rast kur keni deklaruar ndër të tjera se ka pasur diskriminim të Operatorëve Ekonomik?” – e pyeti ekspertin mbrojtësi i të akuzuarit Betim Reçica, avokati Driton Muharremi.

Ndërsa eksperti Zena tha se kjo çështje është elaboruar në ekspertizë dhe se mbetet prapa saj. Më tej ai tha se vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik janë përfundimtare vetëm për autoritetin kontraktues ndërsa palët e pakënaqura mund të drejtohen në gjykatë.

Për Zenën pati pyetje edhe Betim Reçica.

“A e keni pasë vendimin e parë dhe të dytë të OSHP-së dhe provat?” – e pyeti Reçica. Ndërsa  Zena deklaroi se vendimet e OSHP-së nuk i ka konsideruar relevante për përfshirje në ekspertizë.

Në seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Isa Berisha, avokati Florent Latifaj deklaroi se tek dosja e tenderit, operatori ekonomik për përzgjedhje duhet të ketë në minimum dy tenderë për rrugë regjionale dhe nacionale në shumën mbi 5 milionë euro. Por Zena deklaroi se mënyra e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë radhitet sipas çmimit më të lirë e jo sipas çmimit më të favorshëm ekonomikisht.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje u caktua të mbahet më 23 qershor. Në këtë seancë do të ftohet eksperti financiar i radhës, Shaip Bytyqi.

Sipas aktakuzës, Reçica i kishte kërkuar Komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

Për të njëjtin tender Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për t’u shpallur kompani e përgjegjshme.

Po ashtu, Reçica akuzohet se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të Ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.

Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes të cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të Ministrisë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H. M. dhe A. B. t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar.

Ky veprim, sipas Prokurorisë, e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.

Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpëlarje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë Audi F2 S7 sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.

Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK