Vazhdon gjykimi për pastrim të parave ndaj ish-kryetarit të degës së LDK-së në Drenas

Sot ka vazhduar gjykimi ndaj ish-kryetarit të degës së LDK-së në Drenas, Bedri Nika dhe djalit të vëllait të tij, Albian Nika, të akuzuar për pastrim të parave dhe blerje, pranim e fshehje të sendeve.

Në Gjykatën e Prishtinës sot është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit Shemsi Kadriu. I njëjti në bankën e NLB në Drenas mban pozitën e udhëheqësit të ekspoziturës.

Dëshmitari para gjykatës tha që më 25 shkurt të vitit 2021 kishin hasur për herë të parë 18 bankënota, në shumën prej 50 eurove, të cilat sipas tyre janë dukur të dyshimta.

“Me datën 25, në momentin kur është zbraz ATM-në depozitar kemi hasur në 18 valuta, 50-she të dyshimta, kanë qenë të ngjyrosura dhe për neve si valutë ka qenë e dyshimtë” – tha dëshmitari Kadriu.

Ai rrëfeu para gjykatës se problemi i njëjtë është hasur po ashtu më 11 mars të vitit 2021.

“…është përcjellë për trezorin qendror për verifikim. Mirëpo koha e verifikimit ka zgjatur. Po ashtu më datën 11.03.2021 prapë gjatë zmbrapsjes kemi hasur këto valuta të njëjta që kanë qenë të ngjyrosura dhe sipas procedurës bankare kemi lajmëruar Policinë kur në këtë rast Stacioni Policor i Drenasit i ka njoftuar hetuesit në qendër” – shtoi tutje dëshmitari.

Dëshmitari Kadriu tregoi që kartëmonedhat e dyshimta mund të dalloheshin prej të tjerave me sy të lirë, pasi që të njëjtat ishin vërejtur që janë të ngjyrosura. Sipas tij, valutat standarde nuk kanë ngjyrë të imponuar.

Ai gjithashtu tregoi që llogaritë e të pandehurve janë të bllokuara deri në një përgjigje përfundimtare nga hetuesia apo gjykata.

“Në bazë të politikave e procedurës bankare, llogaritë e klientëve bllokohen deri në përgjigjen finale të hetuesisë apo te gjykatës…” – tha dëshmitari Shemsi Kadriu.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Bedri Nika në intervalin kohor 21 shkurt 2021 e deri më 11 mars 2021, në vend të panjohur, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, fillimisht ka siguruar para të gatshme dhe atë 118 bankënota në vlerë 50 euro, nga një burim i panjohur.

Në aktakuzë thuhet se më pas të njëjtat para janë prekur nga një reagjent kimik dhe ia ka dhënë të bashkëpandehurit Albian Nika dhe vajzës së tij, me udhëzimin dhe kërkesën për t’i deponuar në disa raste të ndara në llogarinë e tyre bankare në bankën NLB në Drenas.

Në aktakuzë thuhet se këto bankënota janë vënë në qarkullim si para standarde, duke qenë në dijeni se të njëjtat janë përfituar nga aktivitete kriminale.

Ndërsa në pikën dy të diapozitivit të aktakuzës, Bedri Nika dhe Albian Nika po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pastrim i parave. Ashtu që në datat e lartcekura, Bedri Nika i’a jep nipit të tij Alban Nikës dhe vajzës së tij udhëzimin dhe kërkesën që të njëjtat përmes llogarive të tyre bankare në bankën NLB, t’i deponojnë përmes bankomateve (ATM) e më pas duke shfrytëzuar bankomatët e tjerë të të njëjtës bankë t’i tërheqë në para të gatshme.

E pas këtyre veprimeve, i pandehuri Alban Nika, menjëherë i ka tërhequr paratë nga bankomatet tërheqëse në shumën e njëjtë dhe të njëjtat i’a ka dorëzuar të pandehurit Bedri Nika.

Me këto veprime i njëjti ka provuar që ta mashtrojë bankën dhe të maskojë origjinën e vërtetë të parave, duke i shkaktuar dëm bankës NLB në Drenas, me vlerën e parave të deponuara dhe tërhequra.

Arrestohet zyrtari i LDK-së, Bedri Nika