Gjykata Themelore e Pejes - Foto: Atdhe Mulla.

Pejë, akuzohen se i morën paratë e banesat s'i ndërtuan kurrë, 20 vjet burg për 5 të akuzuarit

Gjykata e Pejës i ka gjetur fajtorë dhe i ka dënuar me burg të pandehurit Estrida Bunjaku, Burim Vokrri, Vigan Bunjaku, Xhemajl Arifi dhe Valon Orllani, disa të akuzuar për mashtrim e disa për shpëlarje të parave.

Gjykatësja që e ka marrë vendimin është Violeta Husaj-Rugova.

Aktakuza thotë se të pandehurit u kishin marrë para personave deri në 20 mijë euro me paraqitje të ofertave të volitshme për shitjen e banesave.

Sipas dosjes, të dëmtuarit i kishin dërguar paratë në llogarinë bankare të “V. – O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, kurse ndërtimi i këtyre banesave nuk ishte bërë asnjëherë.

Përveç që nuk i kishin marrë banesat e parapara, të dëmtuarve as nuk u ishin kthyer paratë, me përjashtim të disave.

Kështu që, sipas dosjes, të pandehurit kanë përfituar mjete financiare  në mënyrë të kundërligjshme në vlerë të arrirë gati 2 milionë euro.

Gjithnjë sipas dosjes, e pandehura Estrida Bunjaku. e kishte autorizuar të pandehurin Xhemajl Arifi që në mënyrë gjenerale dhe pa kufizime të përfaqësojë në emër personal dhe në emër të firmës  “ V. – O – Group “ me pronarët e tokave për ndërtimin e banesave.

Kurse, i pandehuri Valon Orllani ka pranuar shumën e të hollave në vlerë prej 14.600.oo euro nga A.B. në emër të pagesës së borxhit për blerjen e një banese po ashtu nga Estrida Bunjaku.  më 29.1.2010 pranon një veturë në vlerë prej 35.300,oo euro, si dhe  i ka blerë një truall në një fshat të komunës së Prishtinës Valon Orllani me  sipërfaqe prej 5 ari  (500 m2).

Këtë sipërfaqe në Prishtinë, Gjykata e Pejës e ka konfiskuar.

Konteksti kohor i kryerjes së këtyre veprave penale është nga shtatori i vitit 2009 deri më 15 maj të vitit 2014, kur edhe janë arrestuar të pandehurit.

Dënimet për secilin nga të pandehurit janë kësisoj:

Të pandehurës Estrida Bunjaku Gjykata i shqiptoi dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh, si dhe me gjobë në shumën 120 mijë euro.

Kurse të pandehurit Burim Vokrri Gjykata i shqiptoi dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh, si dhe gjobë në shumën 60 mijë euro.

Vigan Bunjakut iu shqiptua dënimi me burg prej 3 vitesh si dhe gjoba 50 mijë euro.

Ndërkaq, të pandehurit Xhemajl Arifi dhe Valon Orllani secilit veç e veç Gjykata u caktoi dënim me burgim prej 2 vitesh dhe gjobë 50 mijë euro.

Të pandehurit u obliguan që të paguajnë edhe dëmshpërblimin të dëmtuarve të paraqitur në aktakuzë dhe plotësim të saj.

Të pandehurit  Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku dhe Burim Vokrri akuzohen se kanë kryer veprën penale – mashtrimi, kurse Estrida Bunjaku, Xhemajl Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani për shpëlarje të parave.