Qerrja e kuajve të viktimave - Foto: KALLXO.com

Tragjedia e Krushevcit: Vëllezërit Berisha u vranë për mal

Në gjykimin për vrasjen e vëllezërve Ramiz e Arsim Berisha në korrik të vitit të kaluar, në një mal të fshatit Kryshefc të Pejës, i akuzuari Binak Panxha kërkoi që të hidhet aktakuza e ngritur ndaj tij, kërkesë që u kundërshtua nga prokurori i rastit, Agron Galani.

Aktakuza e Prokurorisë së Pejës e akuzon të pandehurin se me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Berisha.

Siç thuhet në aktakuzë, krimi është kryer si rezultat i prerjes së pyllit të të pandehurit nga viktimat.

Akti akuzues tregon në detaje ngjarjen tragjike. Aty thuhet se dy viktimat së bashku me shokun e tyre Jetlir Gashin ishin nisur me kuaj në pyll për të prerë dru.

“Pasi i kishin parkuar qerret buzë rrugës dhe ishin futur në pyll (pronë e të pandehurit) për të prerë dru, pas disa çastesh viktima Arsim ishte duke thirrur: “Kush hamami jeni ju”? dhe në atë moment i pandehuri Binak nga arma automatike shkrep 3 herë e më pas shkrep rafal 11 herë, duke i privuar kështu nga jeta tani të ndjerët”, thuhet në aktakuzë.

Pas aktit, në aktakuzë thuhet se i akuzuari i kishte larguar trupat e të ndjerëve duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes, duke i zhvendosur në një pjesë të tokës pa pronar.

KALLXO.com kishte raportuar për vrasjen e vitit të kaluar.

https://kallxo.com/vellezerit-qe-u-vrane-kishin-shkuar-ne-mal-per-dru/

Në seancën e kaluar nëna e dy viktimave Ramiz e Arsim Berisha kërkoi nga Gjykata e Pejës përjashtimin e gjyqtarit të çështjes dhe që çështjen ta gjykojë një gjyqtare grua, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/nena-kerkon-qe-nje-grua-ta-gjykoje-rastin-e-vrasjes-se-dy-bijve-te-saj-ne-peje/

Kërkesa e saj është refuzuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës.

Binak Panxha është deklaruar i pafajshëm në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Berisha.

“Jam i pafajshëm në lidhje me akuzat të cilat më ngarkohen”, kishte thënë i akuzuari Panxha në Gjykatën e Pejës.

https://kallxo.com/ndihet-i-pafajshem-i-akuzuari-per-vrasjen-e-dy-vellezerve-berisha/

www.kallxo.com