Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Therja me thikë e mësueses në Prishtinë, vjen reagimi i Bytyqit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka reaguar pas incidentit që ndodhi në shkollën “7 marsi” në Prishtinë, ku njëra nga mësueset e kësaj shkolle dyshohet se u ther me thikë nga një prind.

Bytyqi pas këtij rasti u zotua për ta larguar dhunën nga shkollat e Kosovës.

“Ky veprim ekstrem, nuk tronditi vetëm sistemin e arsimit, por edhe gjithë opinionin tonë. Dhuna nuk është, e as nuk do të lejojmë të bëhet as baza, as detyrimi i suksesit të askujt, as të fëmijëve, e as të personelit”, tha ministri.

Sipas tij, rasti i sotëm tregon se komunikimi institucione -prindër nuk është në nivelin e duhur dhe se shkollat kanë nevojë për angazhimin real e të përhershëm.

“Kërkoj nga gjithë sistemi arsimor të vihet në krye të detyrave të tyre! Secili nga ne, qofshim personel a prindër, u detyrohemi gjeneratave që janë në bankat e shkollimit t‘u shërbejmë me punë e përkushtim dhe t‘iu bëhemi shëmbëllimi i edukatës e të mirës. Thërras të gjitha organet përgjegjëse t‘i shkojnë deri në fund këtij rasti”, tha Bytyqi.

Një mësuese në Prishtinë dyshohet se është plagosur nga një grua sot në shkollën ‘7 marsi’.

KALLXO.com ka qenë në vendin e ngjarjes ku njëra nënë që dërgon fëmijët në këtë shkollë Florie Mustafa tha se e plagosura  ka qenë mësuese e mirë dhe e dashur për fëmijët.

Mustafa tha se rasti i sotëm e ka prekur pasi që kanë punuar disa vite me të dhe se sipas saj, asnjëherë nuk ka ndodhur ndonjë problem.

olicia ka treguar se viktima ka inicialet V.P dhe është 49 vjeçe. Ajo sipas policisë ka marrë plagë nga thika dhe e njëjta  menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar B.D, një grua 38 vjeçare, të cilës i është konfiskuar thika.

Ndërsa për këtë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili i uroi shërim mësueses që me dekada punon në Komunën e Prishtinës.