Gjykimi për mashtrim me viza - 20.02.2019 - Gjakovë - KALLXO

Të akuzuarit për mashtrim me viza i refuzohet pranimi i fajësisë

Në gjykimin e Naim Selimajt dhe Vegim Hoxhës, të akuzuar për mashtrim me viza, Gjykata e refuzoi pranimin e fajësisë nga i pandehuri Naim Selimaj, për shkak se vepra penale është kryer në bashkëkryerje.

Ndërsa i pandehuri Vegim Hoxha nuk e pranoi fajin për veprën që i ngarkohet.

Naim Selimaj dhe Vegim Hoxha, akuzohen se i kishin premtuar Laukont Bytyqit dhe Bekim Zherkës, se do t`i pajisinin për tre muaj me viza pune, për të punuar në shtetet e BE-së.

Në këtë rast i dëmtuari Laukont Bytyqi sipas Prokurorisë, bën pagesën në shumë prej 500 euro, ndërsa Bekim Zherka në shumë prej 1000 euro, pasi që kishte paguar edhe për djalin e tij.

Në pretendimet e Prokurorisë thuhet se i pandehuri i parë Naim Selimaj në cilësinë e personit të autorizuar të një firme nga jashtë, e cila firmë është e paliçencuar në vendin tonë, në bashkëpunim me të pandehurin e dytë Vegim Hoxhën si ndërmjetësues, bëjnë premtime për viza pune.

Ndërsa gjyqtari i rastit Mentor Bajraktari, seancën e radhës e caktoi për muajin mars, dhe palët kanë të drejtë të kundërshtojnë aktakuzën.