Mungoi paradite, Egzon Azemi paraqitet pasdite në seancën për kanosjen e gjyqtarit dhe prokurorit në rastin e Dejan Pantiq
Egzon Azemi është paraqitur në seancën gjyqësore, që akuzohet për rastin e kanosjes së gjyqtarit dhe prokurorit që e kishin trajtuar rastin e arrestimit të Dejan Pantiq.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemin nuk ishte paraqitur në gjykatë më 07.04.2026 (në sesionin e paradites) në rastin në të cilin po akuzohet së bashku me Arlind Manxhukën, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn, për kanosjen ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorit, Afrim Shefkiu.
Për këtë mungesë gjyqësor në sesionin e paradites ka njoftuar se do të lëshojë urdhërarrest.
Azemi për KALLXO.com ka thënë se në sesionin e pasdites është paraqitur në sallë të gjykatës, kurse për pjesën e paradites nuk ka arritur të marrë pjesë për shkak të obligimeve.
“Ne seancë jam, vetëm për shkak të obligimeve nuk arrita të marrë pjesë në seancën paraprake”- tha Azemi përmes një mesazhi telefonik.
Tutje, Azemi në rrjetin e tij social ka publikuar një fotografi nga salla e Gjykatës në të cilën po mbahet seanca për këtë rast.
Tutje edhe avokatja e Azemit, Teuta Xhema ka konfirmuar për KALLXO.com se Azemi është paraqitur në seancë dhe është duke vazhduar procesi gjyqësor dhe dhënen e fjalëve përfundimtare.
Për mosardhjen e tij në sesionin e paradites dhe mosarsyetimin e mungesës, gjyqtari Kushtrim Shyti ka njoftuar palët se do të lëshonte urdhërarrest.
Gjykata e Prishtinës më 07.03.2025 e kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin edhe Edi Zenelajn i kishte shpallur fajtorë.
Sipas këtij aktgjykimi, Egzon Azemi ishte dënuar me burgim prej 6 muajsh, pasi ishte bërë rikualifikimi i veprës penale nga “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” në “kanosje”.
Qerim Elshanit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh për veprën penale “kanosje”, ndërsa Edi Zenelajt i kishte shqiptuar dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 6 muajsh.
Ndaj Edi Zenelajt ishte bërë poashtu rikualifikimi i veprës penale nga “kanosje” në “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti (Kryetar i trupit gjykues), Kushtrim Shyti dhe Valon Kurtaj (anëtarë).
Ndërsa Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 27.11.2025 e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.
Dy zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi, së bashku me dy të akuzuarit e tjerë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, po akuzohen nga Prokuroria për kanosje dhe nxitje të përçarjes për shkak të reagimeve të tyre ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiut, dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Mentor Bajraktarit.
Seanca në Gjykatën e Apelit për këtë rast ishte mbajtur më 27.10.2025 ndërsa aktgjykimi mban datën 27.11.2025.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegii gjykues i përbërë nga Ferit Osmani (kryetar i kolegjit), Avni Mehmeti dhe Mentor Hajraj (anëtarë).
Në shkallën e parë trupi gjykues i cili ka trajtuar këtë rast ka qenë i përbërë nga Arben Hoti (kryetar), Kushtrim Shyti dhe Valon Kurtaj (anëtarë).
Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurorja Fikrije Zejnullahu.
Në seancën e datës 21.11.2024, prokurorja Fikrije Fejzullahu kishte bërë precizmin e aktakuzës sa u përket të pandehurve Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka lidhur me pozitën për të cilën të njëjtit akuzoheshin atëkohë “si persona zyrtarë”. Prokurorja në këtë seancë kishte thënë se në kohën kur ishte kryer vepra penale, të njëjtit nuk kishin ndonjë pozitë zyrtare por që ishin në cilësinë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shqyrtimi fillestar lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 03.04.2024, kur katër të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë.
Më 27.11.2024 ishin dëgjuar në cilësi të dëmtuarit ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Mentor Bajraktari.
Në seancën e datës 03.03.2025, të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre, ndërsa më 04.03.2025 palët në procedurë kishin dhënë fjalën përfundimtare.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.
Dosja e Prokurorisë tregon se dy të akuzuarit, secili veç e veç, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim përmes profileve të tyre në rrjetin social Facebookut ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, më 28.12.2022.
Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës parapake dhe prokurori Afrim Shefkiu kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut është Dejan Pantiq.
Lidhur me këtë veprim të gjyqtarit dhe prokurorit kishin reaguar publikisht dy të akuzuarit, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Arlind Manxhuka kishte shpërndarë postime në rrjetin e tij social Facebook me mbishkrimin “Ky aktlirim është akttradhëti” duke vazhduar me postime të tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?”
Kurse i akuzuari tjetër, Egzon Azemi, sipas Prokurorisë kishte bërë postime me mbishkrime “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha:” e këtij shkrimi ia kishte bashkëngjiur fotografitë me përshkrimin “Tradhtarët plumbin e kanë hak”.
Kurse të pandehurit e tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për veprën penale të kanosjes, secili veç e veç.
Në postimet e lartcekura kishin komentuar fillimisht i akuzuari Qerim Elshani, në postimin e Egzon Azemit ishte shprehur: “Atij jo plumbin, po bumen n’goj po dashke me ja lshu qe mos mi jet as copza me hy n’dhe ne token tone!”.
Kurse i akuzuari Edi Zenelaj kishte ndërmarrë aksione duke vendosur grafite në muret më mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”.
Si u arrestua Dejan Pantiq, për çka akuzohej dhe si ju ndryshua vepra penale në ditën kur u dënua?