Foto nga arkiva
Gjykata merr vendim ndaj Egzon Azemit dhe të tjerëve për kanosje ndaj gjyqtarit dhe ish-prokurorit në rastin e Dejan Pantiqit
Egzon Azemi, Arlind Manxhuka, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn të akuzuar për kanosje dhe nxitje të përçarjes dhe urrejtjes, janë shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, sot më 14.04.2026.
Të katërt akuzohen se kanë kanosur, nxitur urrejtje dhe përçarje ndaj gjyqtarit, Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorit, Afrim Shefkiu që ishin të angazhuar në rastin e Dejan Pantiqit.
Kjo pasi Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës paraprake dhe prokurori Afrim Shefkiu kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut ishte Dejan Pantiq.
Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka janë gjetur fajtor për nxitje të urrejtjes, ku gjykata i ka dënur me burgim secilit veç e veç prej 1 viti e gjashtë muaj.
Kurse, Qerim Elshani dhe Edi Zenalaj për kanosje janë dënuar me 6 muaj dënim me burgim.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 07.03.2025 e kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin edhe Edi Zenelajn i kishte shpallur fajtorë.
Sipas këtij aktgjykimi, Egzon Azemi ishte dënuar me burgim prej 6 muajsh, pasi ishte bërë rikualifikimi i veprës penale nga “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” në “kanosje”.
Qerim Elshanit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh për veprën penale “kanosje”, ndërsa Edi Zenelajt i kishte shqiptuar dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 6 muajsh.
Ndaj Edi Zenelajt ishte bërë poashtu rikualifikimi i veprës penale nga “kanosje” në “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti (Kryetar i trupit gjykues), Kushtrim Shyti dhe Valon Kurtaj (anëtarë).
Ndërsa Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 27.11.2025 e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.
Seanca në Gjykatën e Apelit për këtë rast ishte mbajtur më 27.10.2025 ndërsa aktgjykimi mban datën 27.11.2025.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegii gjykues i përbërë nga Ferit Osmani (kryetar i kolegjit), Avni Mehmeti dhe Mentor Hajraj (anëtarë).
Në seancën e datës 21.11.2024, prokurorja Fikrije Fejzullahu kishte bërë precizmin e aktakuzës sa u përket të pandehurve Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka lidhur me pozitën për të cilën të njëjtit akuzoheshin atëkohë “si persona zyrtarë”. Prokurorja në këtë seancë kishte thënë se në kohën kur ishte kryer vepra penale, të njëjtit nuk kishin ndonjë pozitë zyrtare por që ishin në cilësinë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në seancën e datës 03.03.2025, të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre, ndërsa më 04.03.2025 palët në procedurë kishin dhënë fjalën përfundimtare.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.
Dosja e Prokurorisë tregon se dy të akuzuarit, secili veç e veç, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim përmes profileve të tyre në rrjetin social Facebookut ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, më 28.12.2022.
Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës parapake dhe prokurori Afrim Shefkiu kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut është Dejan Pantiq.
Lidhur me këtë veprim të gjyqtarit dhe prokurorit kishin reaguar publikisht dy të akuzuarit, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Arlind Manxhuka kishte shpërndarë postime në rrjetin e tij social Facebook me mbishkrimin “Ky aktlirim është akttradhëti” duke vazhduar me postime të tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?”
Kurse i akuzuari tjetër, Egzon Azemi, sipas Prokurorisë kishte bërë postime me mbishkrime “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha:” e këtij shkrimi ia kishte bashkëngjiur fotografitë me përshkrimin “Tradhtarët plumbin e kanë hak”.
Kurse të pandehurit e tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për veprën penale të kanosjes, secili veç e veç.
Në postimet e lartcekura kishin komentuar fillimisht i akuzuari Qerim Elshani, në postimin e Egzon Azemit ishte shprehur: “Atij jo plumbin, po bumen n’goj po dashke me ja lshu qe mos mi jet as copza me hy n’dhe ne token tone!”.