Suspendohet Gjykatësi i Akuzuar për Vjedhje të Rrymës

Qemajl Suka, gjykatës i Gjykatës Themelore në Prizren, dega Suharekë, është suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për shkak se ndaj tij ka qenë duke u zhvilluar procedurë penale.

Zef Prendrecaj, nga Zyra e Prokurori Disiplinor, tha për KALLXO.com se propozimi për suspendim nga Komisioni Disiplinor ndaj gjykatësit Qemajl Suka ka ardhur pasi që ndaj tij ka qenë duke u zhvilluar procedurë penale për veprën penale të vjedhjes së rrymës.

Sipas tij propozim është bërë më herët por vetëm tani KGJK-ja ka marrë masa duke e suspenduar gjykatësin Suka.

“Ne kemi propozuar vitin e kaluar suspendimin e të njëjtit deri sa të përfundon procedura penale, por vetëm tani është marrë masa ndaj tij. Ndërsa tani kemi informacione se i njëjti është liruar nga akuza, por kjo nuk do të thotë se e liron nga përgjegjësia disiplinore”, tha Zef Prendrecaj.

Ymer Hoxha, kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren, tha për KALLXO.com, se deri te ky suspendim ka ardhur edhe nga neglizhenca e gjyqtarit të tij.

“Ndaj gjyqtarit ka qenë duke u zhvilluar një procedurë penale për vjedhjen e energjisë elektrike, por i njëjti është liruar nga akuza dhe është shpallur i pafajshëm dhe aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm. Por, nuk e ka njoftuar KGJK dhe Komisionin Disiplinor”, theksoi Hoxha.

Gjykatësi Qemajl Suka ka qenë i akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike nga Prokuroria Themelore.

KALLXO.com ka bërë përpjekje ta kontaktojë edhe gjykatësin Suka, por ai nuk u përgjigj në telefon.

Sipas Zef Prendrecajt, shumë shpejt pritet të vendoset lidhur me rastin e tij.

Kallxo.com kontaktoi përmes emailit edhe KGJK-në, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri më tani.