Fitim Thaqi, i dyshuari për sulmin fizik ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi - Foto: Policia e Kosovës

Sulmuesi i Vehbi Kajtazit Del Para Gjykatës

Fitim Thaqi, i dyshuari për sulmin fizik ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi, do të dalë pas pak para gjykatës, e cila do të vendosë për masën e sigurisë ndaj tij.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati i të dyshuarit, Gazmend Halilaj.

“Sot në orën 16:00 në Pallatin e Drejtësisë mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për sulmin ndaj Vehbi Kajtazit”, tha avokati Halilaj për KALLXO.com.

Sot gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se Fitim Thaqi, i cili është dorëzuar mbrëmë në Polici, gjatë intervistës e kishte pranuar fajësinë për sulmin ndaj kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, por kishte thënë se nuk e ka njohur më parë të sulmuarin dhe as nuk ka ditur për punën që bënte ai.

Ndryshe, gazetari Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten teksa ishte në një restorant në kryeqytet.

Ndërsa, të shtunën, komuniteti i gazetarëve protestoi kundër sulmit fizik ndaj kolegut të tyre.

Vetë i sulmuari tha se njerëzit që po sulmojnë gazetarët janë të lidhur me politikën.

Ndërsa më 16 gusht të këtij viti ishte sulmuar edhe Parim Olluri, drejtori i Gazetës Insajderi.

Në mars për kërcënimet ndaj gazetarëve kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte caktuar si koordinator prokurorin Besim Kelmendi.

http://kallxo.com/gazetaret-prokuror-te-vecante-qe-heton-kercenimet/