Xhelal Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Valon Syla, shpejt do të sillen para drejtësisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

Përmes një shkrimi, ministri ka bërë të ditur se janë identifikuar sulmuesit dhe shpejt do të sillen para drejtësisë.

“Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari. Puna dhe liria e shprehjes e secilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm”- shkroi ai.

“Pas hetimeve intensive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejt kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë”- shtoi tutje Sveçla.

Tutje, ministri potencoi se angazhohen për një shtet ku mbizotëron demokracia dhe mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm.

“Si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme”- ka shtuar tutje ministri Sveçla.

Drejtori i “Gazeta Metro” dhe gazetari, Valon Syla, është sulmuar mbrëmë nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.

Gazetari Valon Syla ka reaguar pas sulmit fizik ndaj tij duke treguar se si kishte ndodhur rasti.

Syla tregoi se ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe në dorën e majtë.

Ai pretendon se sulmi mund të ketë lidhje me reagimet e tij rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK. Ai i përshkruan tre të dyshuarit “në dukje islamik fanatik”.

Reagon Valon Syla pas sulmit fizik ndaj tij