Parim Olluri

Sulmohet Gazetari Parim Olluri në Prishtinë

Gazetari Parim Olluri është sulmuar sonte në Prishtinë nga persona të panjohur.

Ai është sulmuar gjatë orëve të mbrëmjes përderisa ishte duke ecur në rrugën “Bajram Kelmendi”.

Raportohet se Olluri, drejtor i gazetës online “Insajderi” ka marrë lëndime nga ky sulm dhe është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente.

Policia e Kosovës ka dalë në vend të ngjarjes dhe po e heton rastin.

Ky sulm është dënuar nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Shkëlqim Hysenaj.

“Sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është një lajm i tmerrshëm. Ne kërkojme nga organet e sigurisë që ta hetojnë sa më parë këtë rast dhe kryesit e aktit kriminal të dalin para drejtësisë”, tha Hysenaj për KALLXO.com.

“Sulmi ndaj kolegut Olluri ka për qëllim frikësimin e gazetarëve dhe prek rëndë parimet e Lirisë së Mediave dhe Gazetarëve”, shtoi ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës por ata nuk kanë qenë të qasshëm për një koment të menjëhershëm.