Streetball | Foto: Facebook-Streetball Kosova
StreetBall Ndërkombëtar në Prishtinë
Ky eveniment që organizohet tash e 17 vjet bashkon ekipe me nga 3 lojtarë për të garuar për çmimin fitues prej 4000 eurosh.
Lojën e parë në hapjen e turneut e fitoi ekipi “Golden Eagle Albania”që përbëhet nga dy lojtarë nga Shqipëria dhe një nga Kosova.
Arian Çollakaj, basketbollist i ekipit fitues u shpreh optimist se garën do e përfundojnë sikurse e filluan- me rezultate të mira.
“Shumë mire ishte, lojën e parë ne e fituam dhe shpresojmë ta fitojmë të gjithë kampionatin. Jemi shumë optimistë dhe për këtë arsye kemi ardhur të luajmë”, tha Çollakaj.
Ndërkaq, Agim Musliu, sekretar i përgjithshëm i ‘StreetBall Kosova’ tregoi se sivjet ky organizim pati përkrahje edhe nga Presidenti i Kosovës, HashimThaçi.
“Është hera e pare që ‘Street Ball Kosova International’, organizon një turne ndërkombëtar dhe është hera e pare që zhvillohet nën patronatin e Presidentit të Kosovës, z.HashimThaçi dhe sponzorëve të tjerë tradicionalë të ‘Street Ball Kosova’” , tha Musliu për KALLXO.com
Ai gjithashtu vlerësoi se interesimi për përcjelljen dhe pjesmarrjen në këtë turne po rritet megjithëse sipas tij sivjet temperaturat e larta kanë bërë më të vështirë pjesëmarrjen e publikut.
“Si gjithmonë ne punojmë thuajse tërë vitin për streetballin por çdoherë edhe më shumë shoqëria kosovare dhe përkrahësit e streetballit respektivisht edhe sportdashësit,edhe sponzorët më shumë vetëdijësohen për rëndësinë e këtijsporti,” tha Musliu.
“StreetBallKosova” për here të parë u organizua në vitin 2000 me 24 ekipe, ndërsa sivjet sipas organizatorit janë vetëm 8.
HashimThaçi, President i Kosovës, paralajmëroi dje organizimin e këtij turneu duke e vlerësuar si udhëlidhës për bashkëpunim ndërkombëtar
“Sporti gjithnjë ka krijuar ura të bashkëpunimit ndërmjet popujve e shteteve, ndërsa organizimi i këtij turneu dhe i garave të tjera sportive në Kosovë ndikojnë edhe në promovimin e mëtejmë ndërkombëtar të sportit kosovar, duke hapur njëherësh horizonte të reja për bashkëpunimin e vendeve nga Ballkani Perëndimor, por edhe më gjerë,” shkroi Thaçi në një postim në Facebook.