Arkiv. Foto: Kallxo.com

Shtyhet seanca për ‘veteranët e rrejshëm’ ende pa filluar

Seanca e parë për aktakuzën për ‘veteranët e rrejshëm’ është shtyrë sot ende pa filluar mirë.

Arsye për shtyrjen e saj u bë mungesa e dy të akuzuarve.

Në fillim të seancës, gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj konstatoi se në seancë mungojnë tre të akuzuar: Smajl Elezaj, Rrustem Berisha dhe Faik Fazliu.

Ndërkohë, Smajl Elezaj erdhi në seancë por pa praninë e e dy të akuzuarve tjerë gjykatësja tha se nuk ekzistojnë kushte për mbajtjen e seancës.

Seanca u shty për 14 mars.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rrustem Berisha, avokati Agron Selimaj ka njoftuar që klienti i tij nuk mund të paraqitet në seancë për shkak të “disa çështjeve urgjente”.

Kurse për të akuzuarin tjetër Faik Fazliu është thënë se gjendet në trajtim shëndetësor në Shqipëri.

Aktakuzën ndaj 12 të akuzuarve, anëtarë të Komisionit Qeveritar për përcaktimin e statusit të veteranit, do ta përfaqësojnë dy prokurorë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi dhe Enver Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent.

Aktakuza ishte kthyer mbrapa me 9 tetor 2018, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e aktakuzës, duke i lënë kështu 30 ditë kohë në dispozicion për plotësuar dhe ndryshuar.