Të akuzuarit Xhelal Sveçla dhe Salih Zyba, seanca 16.01.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.com

Dështon seanca ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve të LVV-së, të akuzuar për gazin lotsjellës

Në Gjykatën e Prishtinës dështoi të mbahej seanca ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe deputetëve nga rradhët e LVV-së Salih Zybës, Fitore Pacollit dhe Drita Millakut.

Ata akuzohen se kanë ndezur dhe hedhur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ditën e pranverës të vitit 2018.

“Gripi” i deputetes Fitore Pacolli, dhe arsyet tjera shëndetësore të deputetes Millaku, bëri që këto të mos jenë prezente në seancë dhe gjykimi të dështojë.

Hedhja e gazit lotsjellës, kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së kuvendit, dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën e Kuvendit.

Me këto veprime, ata akuzohen edhe për pengim të personit zyrtar, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit.

Hedhja e gazit lotsjellës, kualifikohet si përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, dënueshmëria e të cilit  është nga 1 deri në 8 vite burgim.

Në mesin e provave të cilat prokuroria i mbështet akuzat e saj janë inqizime nga salla e Kuvendit, raporte policore, foto-dokumentacion, vendimi i Kryesisë së Kuvendit për ndërprerjen e seancës atë ditë, dhe shkresa tjera të lëndës.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në polici.

Hetimet ndaj tyre kishin filluar një ditë pas ngjarjes kritike, kurse aktakuza është ngritur në korrik të vitit 2019.

Gjyqtar i këtij rasti është Sabit Sadikaj.