Shteti i Uzurpuar, Shteti Uzurpues

Institucionet në nivel qendror dhe lokal, politikanë, individë dhe pronarë biznesesh të afërt me politikën dalin të jenë uzurpues të pronës shoqërore në Kosovë.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi pjesën e dytë të hulumtimit në të cilin zbulohet se në mesin uzurpatorëve të publikuar nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit, në qytetin e Pejës gjendet edhe kompania e sigurimeve ”Iliria”.

Fatos Zajmi nga KS “Iliria” ka deklaruar për emisioni se ata nuk janë uzurpatorë ashtu siç i ka listuar AKP-ja, por janë pronarë legjitimë të lokalit për të cilin kanë hyrë në ‘listën e zezë’ të AKP-së.

“Ne nuk jemi uzurpatorë dhe një kualifikim të tillë nga AKP-ja nuk e kemi merituar. Ne do t`i shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore dhe do të kërkojmë të drejtën tonë, pasi që me këtë listim si uzurpatorë, konsiderojmë se imazhi i kompanisë sonë është dëmtuar”, ka deklaruar Zajmi për “Drejtësia në Kosovë”.

Edhe në Pejë, sikurse në qytete tjera lista e publikuar nga AKP nuk jep asnjë të dhënë e cila të çon direkt te personi që AKP e quan uzurpator.

“Drejtësia në Kosovë” ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për t`i identifikuar emrat që i ka publikuar AKP, por qytetarët e kontaktuar nuk i njohin uzurpatorët e publikuar nga AKP.

Në Deçan dhe Junik sipas të gjeturave të emisionit përkundër të dhënave të mangëta për adresat dhe identitetin e uzurpatorëve ekipet e “Drejtësia në Kosovë”, kanë arritur të bisedojnë me disa prej atyre që AKP i ka quajtur uzurpatorë.

Ramë Dinë Hykasmoni nga Juniku thotë se nuk janë uzurpatorë, por se tokën e kanë blerë me para nga pronari.

“Unë nuk jam uzurpues, tokën, 20 ari i kam blerë, i kam paguar parat Abdullah S. dhe s`jam uzurpues. Tokën e kam në emrin tim”, ka deklaruar Hykasmoni.

Ndërsa në Gjakovë, edhe Shoqata e Pensionistëve të këtij qyteti është listuar në kategorinë e uzurpuesve.

http://kallxo.com/mungesat-e-medha-ne-listat-e-uzurpatoreve-te-akp-se/

Ibrahim Rudi, kryetar i pensionistëve ka deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni se lokali ka qenë pronë e AKP-së.

“Ne e kemi shfrytëzuar atë lokal në katin përdhesë për t`u ndihmuar pensionistëve të cilët e kanë të vështirë të ngjiten në katin e 3 ku jemi të vendosur. Mirëpo, me të pranuar shkresën nga AKP-ja e kemi liruar, pasi që nuk është pronë e shoqatës”, ka deklaruar Rudi.

Të gjeturat nga hulumtimi kanë treguar se kompania tjetër në Gjakovë që shfrytëzon pronën shoqërore sipas AKP-së pa kontratë është “Mali Petrol”.  Mirëpo, pronari i këtij biznesi, Blerim Vokshi, nuk ka dashur të flasë para kamerave. Ai në telefon i ka deklaruar ekipeve të emisionit se këtë dëshiron t`ia lë gjykatës, pasi që ai nuk është uzurpator dhe se për shfrytëzimin e pronës në fjalë është në kontest gjyqësorë.

Në Gjakovë, uzurpatorë sipas AKP-së është edhe kompania e derivateve të naftës “Niki-S”, por, pronari i saj Nikollë Bajrami nuk ka dashur të flasë para kamerave, me arsyetimin se nuk dëshiron të acarohet me zyrtarët e AKP-së.

Ai thotë se pret t`i marrë  me qera dy pompat për të cilat AKP e ka listuar si uzurpator.

Të gjeturat në terren nga ekipi i emisionit, treguan se në listën e AKP-së si uzurpator është listuar edhe kolegji FAMA në Mitrovicë. Pronari Salal Ahmetgjekaj ka deklaruar se është ndjerë i shokuar kur e ka parë këtë listë dhe se i është drejtuar Prokurorisë në Mitrovicë e cila e ka nxjerrë vendimin se ai nuk ka uzurpuar pronë.

Raif Haliti nga Gjilani, sipas avokatit të tij Bajram Morina, është nxjerrë në listën e AKP-së si uzurpator, edhe pse pronën në fjalë që gjendet në objektin e ish Jugobankës “e ka blerë në mënyrë të rregullt” dhe e ka bartur pronësinë në institucionet kompetente.

“Klienti im nuk është uzurpator, ai e ka blerë në mënyrë të rregullt pronën, e ka vërtetuar kontratën në gjykatën kompetente dhe e ka bartur pronësinë në emrin e tij. Tani ne do t`i shikojmë mundësitë për kompensim dëmi, sepse klientit tim i është publikuar emri si uzurpator pa asnjë arsye”, ka deklaruar avokati Bajram Morina.

 Komunat uzurpatore

Ajo çfarë ekipet e “Drejtësia në Kosovë”, kanë identifikuar gjatë hulumtimit janë momentet kur komunat dhe organet shtetërore dhe publike janë quajtur uzurpatorë.

Sipas ligjit, komunat nuk kanë të drejtë të marrin qera, apo t`i japin në shfrytëzim pronat shoqërore.

Një rast i tillë i dhënies së pronës shoqërore në shfrytëzim është arsyeja pse kreu i Prizrenit Ramadan Muja është dënuar me burgim. Rregulli dhe shkelja e njëjtë ka ndodhur edhe në Mitrovicë, ku bizneset si “Pelikani” kanë kontratë me komunën edhe pse prona është në pronësi të ndërmarrjes “Agrokultura”.

Komunarët kanë dhënë një shpjegim për kontratën e tyre.

“Komuna e Mitrovicës ka kontratë me dyqanin që ju po e përmendi sepse prona ku është i ndërtuar ai lokal në komunë figuron si pronë komunale, kontrata me dyqanin ‘’PELIKAN” ekziston që nga viti 2008”, ka deklaruar Hysni Syla, zyrtar për informim në Komunën e Mitrovicës.

Një rast i ngjashëm ku komuna ka marrë me qera nga prona shoqërore është në fshatin Runik të komunës së Skënderajt.

Pronari i stacionit të Veterinarisë thotë se nga viti 2002 ka kontratë me Komunën e Skënderajt, dhe se nuk ka asnjë arsye të vetme që të quhet uzurpator.

Zëdhënësi i komunës së Skenderajt, Hajriz Koci, ka deklaruar se në kohën kur e kanë dhënë në shfrytëzim këtë pronë, nuk ka qenë e themeluar Agjencia Kosovare e Mirëbesimit e cila menaxhonte procesin e privatizimit deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Komuna e Skenderajt në vitin 2002 ka bërë një kontratë për shfrytëzim të përkohshëm të një prone që në dokumentacionin pronësor është e definuar si pronë shoqërore. Ne kohën kur është bërë kontrata për shfrytëzim të përkohshëm, ish-AKM-ja nuk ka qenë e themeluar dhe nuk është ditur se kjo pronë do t’i kalojë më vonë në menaxhim AKM-së. Komuna asnjëherë nuk është informuar se kjo pronë është e AKP-së dhe asnjëherë deri më tani nuk është kërkuar që kjo pronë të mos shfrytëzohet ose të mos trajtohet nga komuna si pronë e AKP-së”, ka deklaruar zëdhënësi Koci, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Vendime të tjera për të tjetërsuar pronat shoqërore janë marrë edhe nga Komunat tjera.

AKP, e ka listuar edhe Komunën e Gjilanit si uzurpatore të pronës shoqërore, pikërisht në objektin ku asambleja e Komunës i mban mbledhjet.

“Prona në fjalë është në pronësi të Komunës dhe për këtë në vitin 2001 Kuvendi Komunal i atëhershëm e ka nxjerrë një vendim me të cilin e ka regjistruar tërë pronën e saj. Ne nuk jemi uzurpatorë dhe e kemi njoftuar edhe AKP-në”, ka deklaruar Arbër Ismajli nga Komuna e Gjilanit.

“Drejtësia në Kosovë” ka faktuar se dhjetëra padi të cilat janë ushtruar ndaj uzurpatorëve të pasurisë shoqërore nuk janë trajtuar asnjëherë nga Prokuroritë kompetente. Një rast i tillë është në prokurorinë e Mitrovicës ku AKP i ka ushtruar mbi 50 padi ndaj uzurpatorëve.

Mirëpo deri më tani vetëm një aktakuzë është ngritur nga 50 paditë që janë dorëzuar në këtë Prokurori.

“Sa i përket kësaj liste, kemi të ngritur një aktakuzë dhe dy të tjera të hedhura poshtë ndërsa rastet e tjera janë në proces”, i ka thënë ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, kryeprokurori i Mitrovicës Shyqeri Syla.

Për të gjitha këto pretendime të atyre që AKP i ka futur në listat e saj si uzurpatorë të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, ekipet e “Drejtësia në Kosovë” për më shumë se dy javë kanë kërkuar sqarime nga zyrtarët e AKP-së, mirëpo ata nuk janë përgjigjur me arsyetimin se lista e uzurpatorëve është shumë e gjatë dhe se nuk i kanë të dhënat për të gjithë ata që ndodhen na listat e uzurpatorëve.