Foto: KALLXO.com

Shtet i Fortë Ligjor për më Shumë Investime të Huaja

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), prezantuan të gjeturat e hulumtimit “After Care”, një projekt që tregon përvojat e investitorëve të huaj në vendin tonë.

Sipas hulumtimit, arsyet kryesore që kanë shtyrë investitorët e huaj të marrin vendim që të investojnë në Kosovë janë korniza ligjore në vend, disponueshmëria e punëtorëve të kualifikuar dhe cilësia e jetës.

Me këtë rast, ambasadori britanik Ruairi O’Connell tha se investitorëve të huaj u duhet mbështetje edhe më e madhe dhe shtet i fortë ligjor.

“U duhet të dinë se çdo problem që kanë mund ta zgjidhin në mënyrë të drejtë dhe të shpejtë nga gjyqësori i Kosovës. Ata duhet të mbështeten dhe t’u krijohen kushte edhe më të mira”, tha ambasadori O’Connell.

Ndërsa, konkluzionet e nxjerra nga hulumtimi janë se për të pasur më shumë investime të huaja duhet një mjedis ekonomik më përkrahës, pako e re legjislative, stimuj fiskalë, mbrojtje ligjore, rritje e garancive nga rreziku politik, etj.

Ajo çfarë është vërejtur si pikë e dobët gjatë hulumtimit është mungesa e një pasqyre të qartë dhe të përditësuar të databazave për investitorët e huaj që janë në Kosovë.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se analizimi i trendëve të investimeve në vendet e rajonit na motivon për punë dhe përkushtim, por jo edhe eufori. Ai më tej tha se analizat bëra se fundmi na japin optimizëm për zhvillim ekonomik.

“Optimizmi dhe analizat e bëra ditëve të fundit, qoftë në Bottleneck, qoftë në IFO, por edhe në këtë studim, e tregojnë një dozë të optimizmit i cili duhet të jetë në funksion të zhvillimit”, tha Gërxhaliu.

Ndërsa, ministrja Hykmete Bajrami foli për punën që bën Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në mbështetjen e investitorëve dhe tha se ky studim do të jetë udhërrëfyes për të gjitha institucionet në përmirësimin e ambientit biznesor.

“Studimi ka dalë me të gjetura mjaft interesante, të cilat në fakt do të jenë edhe një udhërrëfyes edhe për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë por pse jo edhe për ministritë të cilat me mandat të vetin kanë përmirësimin e ambientit biznesor në Kosovë”, tha Bajrami.

Në anën tjetër Besian Mustafa Drejtor i përgjithshëm në KIESA-së tha se do të themelojnë një zyrë të veçantë vetëm për mbështetjen e investitorëve të huaj në mënyrë që fitimi i krijuar nga ta të riinvestohet në Kosovë.

Projekti “After Care” u mbështet nga Ambasada Britanike në Kosovë.