Kurti: Investimet e huaja në Kosovë janë rritur për 46 përqind më shumë se vitin e kaluar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit është parë progres në rritjen e investimeve të huaja në Kosovë.

Ai tha se ato janë rritur për 46 përqind më shumë se vitin e kaluar.

“Në shohim progres në rritjen e investimeve të huaja që janë rritur këtë vit në 46% përqind. Kurse eksportet janë rritur për 83,6% krahasuar me vitin paraprak” – tha Kurti.

Kryeministri Kurti tutje ka shtuar se Kosova ka shënuar progres edhe në aspektin e sundimit të ligjit, e cila ka ndikuar në klimën e ekonomisë.

Ai ka shtuar se në rritjen e investimeve të huaja ka ndikuar edhe Gjykata Komerciale.

“Të gjitha investimet që i bëjmë nëse nuk investojmë në digjitalizim është e vështirë, do të investojmë shumë në transformimin digjital që e rrit edhe produktivitetin e bizneseve” – ka thënë Kurti.

Kurti kështu ka deklaruar në konferencën për promovimin dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë të organizuar nga MINT dhe Këshilli Evropian i Investitorëve (EIC).

Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se në këtë aspekt të investimeve Kosova ka përparësi të shumta.

“Ne synojmë integrimin tregtar në Bashkimin Evropian. Pjesëmarrja e njerëzve në tregtinë formale po rritet. Kosova ka përparësi të shumta. Sektorët industrial kryesisht sektori i industrisë përpunuese, është i rëndësishëm në ekonominë e vendit” – ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se synojnë që për investime të qëndrueshme të ketë më shumë kontribut.

Tutje ka shtuar se si MINT synojnë edhe rezultate të mira në bashkëpunim me sektorin privat.

“Kemi shumë statistika që tregojnë rezultatin e përformancës së mirë në sektorin privat. Synojmë që të krijojmë bashkëpunimin me sektorin privat.

“Në janar do të mblidhemi bashkë për të marrë reflektimet e juaja në interes të vendit dhe rritjes së punësimeve”- ka thënë Hajdari.