Mustafa, deputetëve të LVV-së: Po harroni se kryeshefi që e keni emëruar në KEK është arrestuar për tenderë njëburimorë
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, i ka reaguar kolegut nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, kur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për tenderët njëburimor tha se në Qeverinë Kurti nuk ka korrupsion e as ministra të korruptuar.
Mustafa ka rikujtuar se ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar nën dyshimet për tendera njëburimor.
“Adnan e Vetëvendosje keni harru që kryeshefi që e keni emëruar ju në KEK është arrestuar për shkak të tenderëve njëburimor, se u munduat të thoni se Vetëvendosje janë të pakorrptuar. Kryeshefi që e keni emëruar ju dhe zyrtari i LVV-së që e keni pasë drejtor a koordinator për sektorin e energjisë në parti, e që e keni qu kryeshef në KEK është arrestu për korrupsion, kështu që mos na tregoni përralla”- tha Mustafa.
“Le të lexojë Adnani sa të dojë nga manuali i komisariateve të partisë atje se çka ka qejf ai me ndodhë, por në këtë Parlament Komisonet Parlamentare Hetimore janë e drejtë kushtetuese”- shtoi ai.
Kuvendi i Kosovës është mbledhur më 28.03.2024 në seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës: Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.