Besian Mustafa, LDK - Foto: KALLXO.com

LDK kërkon uljen e TVSh-së në faturat e energjisë elektrike

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar uljen e TVSh-së në faturat e energjisë elektrike, deri në tejkalimin e situatës.

Përmes një konference për media, Besian Mustafa i LDK-së, tha se për herë të dytë në këto dy vite të Qeverisë Kurti, është rritur çmimi i energjisë elektrike.

“E tëra kjo në këtë kohë krize kur janë rritur çmimet e podukteve, çmimi i tatimit e kursimet pensionale në Trust janë zvogëluar. Qeveria mburret që i kanë tepruar qindra miliona euro. Për të përkeqësuar edhe më tej gjendjen në sektorin e energjisë kjo qeveri nuk ka investuar në të. Subvencionet nuk e zgjidhin problemin afatëgjatë” – ka thënë Mustafa para gazetarëve.

Sipas tij, subvencionimi i energjisë elektrike është “arrnim” i problemit, e jo zgjidhje e tij.

”Janë mbi 100 milionë euro që po shpenzohen në konusm afatshkurtër në vend se te ishin investuar në xhenerim. Dhe më e keqja është se ZRRE dhe Qeveria nuk mund te garantojnë që nuk do ketë rritje tjetër vitet në vijim” – ka thënë Mustafa.

Ai tha se qeveria duhet të investojë në krijimin e kapaciteteve që duhen përqendruar te burimet e ripërtritshme të energjisë.

Të enjten, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka marrë vendim të enjten që ta shtrenjtojë rrymën rreth 15%.  Tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.

Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRrE-së tha se kjo është një rritje minimale që është bërë e tarifave. Sipas tij, rritja ka ndodhur për shkak se mundëson furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

ZRrE miraton tarifat e reja, shtrenjtohet rryma rreth 15%