Kontrollimi i fakteve të BIRN: Kosova po tërheq më shumë IHD, por jo aty ku është e nevojshme

Një rritje rekord e investimeve të huaja direkte, IHD, i është atribuar kosovarëve të diasporës të cilët blejnë prona të paluajtshme, shtëpi, etj. Mirëpo lloji i investitorëve që Kosova ka nevojë për të gjeneruar vende pune dhe për ta nxitur rritjen ekonomike, ende vonohen nga paqëndrueshmëria.

Duke i renditur arritjet e qeverisë së tij në një intervistë për BBC në mesin e korrikut, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se investimet e huaja direkte në vendin e ri janë “dyfishuar brenda dy viteve”.

Në fakt, Kurti e nënvlerësoi rritjen e IHD-ve ndërmjet viteve 2020 dhe 2022, të cilat sipas të dhënave të Bankës Qendrore u dyfishuan nga 345.7 milionë në 778.2 milionë euro.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se më shumë se dy të tretat e investimeve në vitin 2022 – afërsisht 67 për qind – janë investuar në prona të paluajtshme, më saktësisht blerjen e pronave nga shqiptarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, dhe jo llojin e sektorëve që tradicionalisht lidhen me krijimin e vendeve të punës apo rritjen ekonomike.

Visar Vokrri, ekonomist në Institutin Riinvest me seli në Prishtinë, thotë se gjatë tri viteve të fundit, mesatarisht 55 për qind e IHD-ve kanë ardhur nga Gjermania, Austria dhe Zvicra, vende me komunitete të rëndësishme të diasporës shqiptare të Kosovës, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë rreth 72 për qind e këtij investimi ka shkuar në pasuri të paluajtshme.

Një gjë e tillë na tregon për faktin se janë kryesisht shqiptarët e Kosovës nga diaspora që investojnë, kryesisht në shtëpi, dhe jo kompanitë e huaja që hapin dyqane në Kosovë dhe rekrutojnë – punësojnë shumë vendas.

IHD-të “pritet të krijojnë vende të reja pune dhe/ose rritje ekonomike”, thotë Vokrri.

“Kur i shikojmë të dhënat, mund të vërehet një rritje nominale e flukseve hyrëse të IHD-ve, por duke e ekzaminuar nga afër burimin e tyre na nxjerr në përfundimin se këto nuk janë investime të mirëfillta – që e tregon mungesën e investimeve neto në sektorin privat dhe divergjenca nga thelbi i vërtetë i IHD-ve”.

Diaspora po blen pasuri të paluajtshme

Në vitin 2021, rreth 91 për qind e IHD-ve në Kosovë ishin në patundshmëri, nga rreth 58 për qind sa ishin në vitin 2020.

Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Investimeve dhe Mbështetjes së Ndërmarrjeve, KIESA, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, thotë se agjencia po përpiqet të inkurajojë më shumë investime të huaja “në sektorët që kanë prioritet në ekonominë tonë,” sektorë që kontribuojnë në gjenerimin e vlerës së shtuar”.

Ai vë në dukje renditjen e Kosovës në vendin e 57-të në raportin e Bankës Botërore për “lehtësinë e të bërit biznes” për klimën e biznesit të vendeve, një sistem renditjeje të cilin Banka Botërore e hoqi në vitin 2021 pasi u ngritën shqetësimet për manipulimin e të dhënave. Megithatë, Dedaj epranon se mund të bëhet më shumë për të tërhequr IHD.

“Sigurisht që ka hapësirë për të bërë më shumë dhe gjithnjë e më shumë duhet bërë për ta përmirësuar më tej mjedisin e biznesit”, thotë Dedaj. “Për këtë ekzistojnë edhe grupe të ndryshme punuese të cilat i adresojnë sfidat eventuale që mund të dalin nga raportet e ndryshme të të bërit biznes” në Kosovë.

Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit Evropian të Investitorëve në Kosovë, një shoqatë e investitorëve të mëdhenj të huaj, thotë për BIRN se “nuk kishim investime kapitale nga qeveria, por kishim një tendencë që kompanitë e huaja të vinin në tregun tonë dhe rritja e kapitalit nga shoqëritë aktuale”.

Mirëpo diaspora ende dominon në këtë aspekt.

“Këto nuk janë investime të qëndrueshme por investim i diasporës në blerjen e patundshmërive”, thotë Ujkani.

Ekspertët thonë se disa investitorë potencialë janë padyshim të shtyrë nga rreziku i dhunës dhe paqëndrueshmërisë politike në Kosovë, që rrjedh nga marrëdhëniet e pazgjidhura të Kosovës me Serbinë mes rritjes së tensioneve vitet e fundit në një cep të vogël të veriut të populluar kryesisht nga serbët.

Në muajin qershor, BE-ja njoftoi “masa të kthyeshme dhe të përkohshme” kundër Kosovës, duke e akuzuar qeverinë e Kurtit për dështimin për t’i de-përshkallëzuar tensionet në veri kur shpërthyen protestat e dhunshme serbe pas vendosjes së kryetarëve të komunave shqiptarë të Kosovës në komunat ku serbët janë shumicë.

Këto masa përfshinin përjashtimin e Kosovës nga takimet e nivelit të lartë, ndalimin e fondeve të para-anëtarësimit për vitin 2024 dhe një vendim për të mos i rishikuar propozimet e Kosovës për financim nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, një iniciativë e BE-së që ofron financim dhe asistencë teknike për investime strategjike.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, KDWV, paralajmëroi në atë kohë se tensionet në veri mund t’i shtyjnë kompanitë gjermane të tërhiqen, një fatkeqësi e mundshme për Kosovën duke pasur parasysh se Gjermania mbetet burimi më i madh i IHD-ve në Kosovë – afërsisht 1.66 miliardë euro ndërmjet viteve 2007 dhe 2022.

Bankat qendrore të Gjermanisë dhe Kosovës japin shifra të ndryshme për IHD në Kosovë nga Gjermania. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Gjermane, Gjermania ka pasur 168 milionë euro IHD në vitin 2020 dhe 142 milionë euro në vitin 2021. Mirëpo Banka Qendrore e Kosovës jep shifra prej 67.5 milionë e 121.9 milionë për të njëjtat vite dhe 194.2 milionë për vitin 2022.

Në fillim të korrikut, ambasada gjermane i tha BIRN se qeveria gjermane ka “vendosur ta ndalojë përkohësisht bashkëpunimin e saj me Kosovën në sektorë të ndryshëm”.

Masat e BE-së shkaktuan “domino-efekt në investimet e vendeve anëtare të BE-së”, thotë Ujkani nga Këshilli Evropian i Investitorëve. “Ne kishim njëfarë interesi për energjinë, bujqësinë dhe turizmin, por për të qenë korrekt, duhet të them se masat kanë lënë gjurmë dhe nuk janë një mesazh i mirë”.

Të dhëna kontradiktore

Investitori më i madh i vetëm në Kosovë është miliarderi dhe ish-ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, themelues i kompanisë Mabetex Group me seli në Zvicër, Bankës Ekonomike, hotelit Sëiss Diamond dhe kompanisë së sigurimeve Siguria.

Sipas të dhënave të BQK, Zvicra ishte burimi i 887 milionë eurove të IHD-ve në Kosovë ndërmjet viteve 2007 dhe 2022, duke e bërë atë burimin e dytë më të madh të IHD-ve pas Gjermanisë.

“Investimet zvicerane rrjedhin kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), shpesh në pronësi të shtetasve të dyfishtë,” thotë Christoph Fuchs, zëvendës shef i misionit në ambasadën zvicerane. “Kompanitë zvicerane në Kosovë janë aktive në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë bankat dhe fintech (teknologjisë financiare), sigurimet, IT dhe BPO, përpunimin e ushqimit, makineritë, mekanikën, energjinë dhe turizmin”.

Sipas tij, IHD-të nga Zvicra vitin e kaluar arritën në 155.2 milionë euro, rreth 56.4 për qind më shumë në vitin 2021.

Vjosa Huruglica, shefe e Zyrës Komerciale Austriake në Prishtinë, thotë se rreth 40 filiale austriake dhe mbi 120 kompani me kapital austriak operojnë në Kosovë, kryesisht në financa, sigurime, energji, ndërtim dhe shërbime IT.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Austriake, në vitin 2022 rreth 203 milionë euro IHD në Kosovë kanë ardhur nga Austria. Mirëpo BQK i dha BIRN një shifër prej 44.7 milionë.

Midis 2007 dhe 2022, rreth 381 milionë euro në IHD erdhën nga Turqia, sipas Bankës Qendrore Turke. Megjithatë, bankat qendrore të Kosovës dhe Turqisë ofrojnë të dhëna kontradiktore për vitin 2022, ku e para thotë se 39 milionë euro IHD erdhën nga Turqia, dhe e dyta e vendos shifrën në 162 milionë dollarë, ose afërsisht 150 milionë euro.

Kësisoji, Banka Qendrore e Shqipërisë thotë se në tre muajt e këtij viti, Shqipëria ishte burimi i 22.5 milionë eurove të IHD-ve në Kosovë, mirëpo BQK e vendos shifrën në 16.8 milionë. Shifrat për vitin 2021 dhe 2022 ndryshojnë gjithashtu: sipas Bankës Qendrore Shqiptare, Shqipëria ka qenë burimi i 48.6 milionë eurove IHD dhe përkatësisht 72.2 milionë eurove, kurse Kosova jep shifrat prej 50.4 milionë dhe 79.8 milionë euro.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight

Përgatiti: Nuhi Shala