Presidentët, Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin - REL

Serbia përgatit tepihun e kuq për Putinin

Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet të enjten me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq. Gjatë vizitës ata do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh, duke theksuar marrëdhënien e mirë midis dy aleatëve sllavë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se vizita e tij në Serbi, duke filluar nga e enjtja, do të përqendrohet në bashkëpunimin ushtarak dhe përmirësimin e mbrojtjes së Serbisë. Marrëveshjet që do të nënshkruhen do të përfshijnë një mbi përdorimin e energjisë atomike për qëllime paqësore.

“Për vite me radhë, kemi ndihmuar në rritjen e aftësive mbrojtëse të Serbisë duke e furnizuar me armë dhe pajisje ushtarake, duke ndihmuar në shërbimin dhe modernizimin e tyre,” raportohet të ketë thënë Putin para vizitës së tij, sipas gazetave serbe Politika dhe Vecernje novosti.

Putin shtoi se Rusia do të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunimin tekniko-ushtarak me Serbinë dhe akuzoi SHBA-në se po përpiqet të destabilizojë rajonin.

Përveç marrëveshjes për përdorimin paqësor të energjisë atomike, marrëveshjet e pritura do të trajtojnë zhvillimin digjital teknologjik dhe inovacionin në sektorin e energjisë elektrike.

Të dy presidentët do të nënshkruajnë gjithashtu një marrëveshje mbi bashkëpunimin në kërkimin dhe përdorimin e hapësirës kozmike për qëllime paqësore.

Lajme të mëparshme thanë se vizita e Putinit do të shihte nënshkrimin e një marrëveshjeje për zonën e tregtisë së lirë midis Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të drejtuar nga Rusia, EAEU, dhe Serbisë.

Por Putin tha për mediat serbe se ai tani priste që kjo marrëveshje të nënshkruhej deri në fund të këtij viti, kur ajo “do të hapte mundësi të mëdha për rritjen e efikasitetit dhe përfitimeve praktike të përpjekjeve të përbashkëta në fushën ekonomike”.

Lideri i Kremlinit akuzoi Shtetet e Bashkuara për “destabilizimin e Ballkanit duke imponuar rolin e tyre dominues në rajon”.

Përveç zyrtarëve të lartë shtetërorë, Putini do të mirëpritet në Beograd nga një tubim qytetarësh, organizuar nga OJQ pro-ruse dhe Partia Progresive Serbe e Vuçiqit.

Një sondazh i kryer nga gazeta Politika në mars 2018 e vuri Putinin në krye të një liste të politikanëve të huaj më të besuar, me mbështetjen e 58 për qind të të anketuarve.

Rusia dhe Serbia historikisht kanë pasur marrëdhënie të ngrohta bazuar në lidhjet etnike sllave dhe anëtarësimin e përbashkët të Kishës Ortodokse.

Shumica e serbëve e shohin Moskën si një nga aleatët e tyre më të mëdhenj, sidomos në betejën për të parandaluar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së ish-krahinës së Kosovës.

Rusia ishte ndër vendet e para që dënuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008 dhe që atëherë ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare në përputhje me politikat e Beogradit.

Nga ana tjetër, Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për rolin e saj të perceptuar në nxitjen e konfliktit në Ukrainë, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se Serbia – si një vend kandidat i BE-së – duhet të përafrojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian.

Përpara vizitës së ditës së enjtes, mediat serbe njoftuan se rreth 5,000 policë serbë do të kujdesen për sigurinë e presidentit rus. Putin po sjell me vete 30 oficerë rusë.