SBAShK kundër kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës

Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Shkencë në Kosovë (SBAShK) ka marrë vendim që orët e humbur gjatë grevës në arsim të mos kompensohen.

Këshilli Drejtues i  SBASHK-ut bashkë me kryetarët e Kuvendeve të Sindikatave komunale të Arsimit Para-Universitar dhe të Universiteteve kanë njoftuar se kanë mbajtur takim të jashtëzakonshëm për të debatuar lidhur me deklarimin dhe qëndrimin e anëtarësisë rreth çështjes së orëve të humbura gjatë grevës, e sidomos rreth vendimit nr: 911 të datës 27 shkurt 2019, te Ministrit Bytyqi lidhur me këtë çështje.

“Pas një debati të hapur e duke sjellë mendimin e anëtarësisë Këshilli Drejtues solli vendimin që të mos zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës deri në aktgjykimin  përfundimtarë të gjykatës përkatëse lidhur më ligjshmërinë e vendimit nr: 911  të datës 27.02.2019   për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, të cilin e ka nxjerr  Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Sindikata me bindjen se Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Arsimore do të  respektojnë  institucionet e drejtësisë, ka apeluar tek  këto dy institucione arsimore që të presin  deri në vendimin përfundimtar të gjykatës lidhur me këtë çështje .

Me 26 shkurt, Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë ka marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës se mësimdhënësve të organizuar nga SBAShK-u.

Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit para universitar publik, me rastin e grevës së mësimdhënësve do të zëvendësohet:

5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;
5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;
5 (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Këtë vendim të MASHT e kanë mirëpritur Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti ka thënë se mirëpret vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të kompensohen orët e humbura gjatë grevës tre javore të mësimdhënësve.

“Ne nuk e gjykojmë në një farë mënyre vendimin e ministrisë, vendim i drejtë është dhe ka kompetencë. Ne nga kjo kemi kërkuar dhe jemi që orët e humbura të zëvendësohen, pra zëvendësimi i orëve të bëhet patjetër”, ka thënë Reshiti për KALLXO.com.