Jusuf Azemi - Foto: KALLXO.com

Azemi: Greva e punëtorëve teknikë të Qendrës së Studentëve i është kthyer normalitetit

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, së bashku me punëtorët teknikë të Qendrës së Studentëve janë takuar të enjten më 29.02.2024 me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudarin.

Punëtorët teknikë të Qendrës së Studentëve janë në grevë ashtu sikur punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës.

Rreth 250 punëtorë të UP-së janë në grevë nga data 16.02.2024. Ata po kërkojnë pagë më të lartë pasi paga që marrin, në vlerë 300 euro, sipas tyre, nuk i plotëson nevojat e tyre.

Azemi në një mbledhje ku është votuar për vazhdimin e grevës nga punëtorët grevistë të UP-së, më 28.02.2024, ka deklaruar se në Universitetin e Prishtinës nuk kanë vërejtje sa i përket mbarëvajtjes së grevës, por në Qendrën e Studentëve, sipas tij, është duke u shkelur Ligji për grevën. 

Sipas Rudarit, ata nuk kanë shkelur asnjë rregullore. Ai ka sqaruar edhe pretendimet e Azemit në lidhje me shkeljet që janë duke u bërë nga kompania që operon në Qendër ndaj grevistëve.

Si rezultat i këtij takimi, mes Azemit dhe punëtorëve të QS dhe Rudarit, Azemi është shprehur se greva në Qendrën e Studentëve është kthyer në normalitet.

“I jemi kthy po them normalitetit të grevës, punëtorët faktikisht me, paj them tash, me lejën edhe të drejtorit janë stacionu me një vend. Na e kemi marrë obligim me zbatu Ligjin e grevës që banjot edhe ato qysh e thotë Ligji i grevave duhet m’i rregullu” – ka thënë Azemi për KALLXO.com.

Azemi më 28.02.2024 kishte njoftuar se punëtorët e Qendrës së Studentëve nuk u lejuan të hyjnë në vendin ku ishin stacionuar për ta mbajtur grevën.

Ndërsa, më 26.02.2024, në një intervistë për KALLXO.com Azemi kishte thënë se kompania që operon në Qendrën e Studentëve po sjell punëtorë të tjerë në vend të grevistëve.

Pavarësisht tentimit të KALLXO.com që të kontaktojë me kompaninë që operon në Qendrën e Studentëve, kjo e fundit nuk ka qenë e qasshme.

Azemi kishte thënë se këto shkelje i ka raportuar në Inspektorat të Punës dhe Inspektorati i Punës duke mos ndarë më shumë detaje e ka konfirmuar për KALLXO.com, më 28.02.2024, se është duke inspektuar rastin.

Sipas Azemit, drejtori i Qendrës së Studentëve është takuar me pronarin e kompanisë, i cili e ka njoftuar se do të ketë rritje të pagës së punëtorëve.

“Pronari i kompanisë ka ofru rritje të pagës, ka garantu që do të ketë rritje të pagës për këta punëtorë, ia ka çu drejtorit të Qendrës rritjen e pagës, unë kam kërku me shkrim që të ma jep qat rritje edhe pse e ka drejtori i Qendrës dhe këta po e presim” – ka theksuar Azemi.

Në anën tjetër, Rudari ka treguar se çka ka biseduar me drejtuesin e kompanisë që operon në QS.

“Na kemi biseduar me kompaninë se normal që jemi shqetësu për këtë rast të grevës, kemi bisedu me kompaninë çfarë hapësirash ka, a ka hapësirë për ngritje të pagave a jo. Neve na ka thanë se kam mundësi me ngrit pagën 20 euro për secilin punëtorë të vetin edhe kemi diskutu me punëtorë sot, edhe Jusuf Azemi ka ardh në takim me disa punëtorë” – ka bërë të ditur Rudari.

Sipas tij, punëtorët grevistë të QS kanë shkelur Ligjin për Grevën pasi nuk kanë punuar asnjëherë prej se kanë filluar grevën.

“Ata, faktikisht grevistët kanë shkelë pak një pjesë të rregullores së grevës. Aty në rregullore e jep që duhet me punue pjesët elementare. Ata d.m.th prej se kanë fillu nuk kanë punu asnjëherë, e asnjë minut nuk kanë punu, nuk e kaën pastru kurgjo” – ka thënë ai.

Ndërsa, në lidhje me pretendimin e Azemit se kompania, më 28.02.2024, nuk i ka lënë grevistët ta mbajnë grevën në vendin ku stacionoheshin për ta mbajtur, Rudari ka sqaruar se punëtorët grevën e kanë mbajtur në një leximore dhe për shkak se kanë shkaktuar zhurmë kanë intervenuar udhëheqësi i konviktit 5 dhe pronari i kompanisë.

“Ato janë mbledhë atje në sallë leximore, në konvikt 5, kanë nejt atje të gjitha punëtoret po kanë kriju zhurma shumë edhe janë anku studentat. Në hapësira (të Qendrës) s’i ka pengu askush. Ato janë largu prej leximores, vetëm prej leximores janë largu. Asnjëherë nuk janë largu prej Qendrës Studentore” – ka shtuar ai.

Kurse, në lidhje me paralajmërimin e Azemit më 28.02.2024 se do ta padisë kompaninë që operon në QS dhe drejtorin e Qendrës Studentore, për shkak të pretendimeve se atje është shkelur Ligji i Grevës, Rudari tha se nuk është në dijeni.

“Jo s’jemi në dijeni. Mua s’më ka lajmëru askush edhe nuk e besoj se na nuk kemi shkelë asnjë rregullore, përkundrazi edhe ato që e kanë shkelë rregulloren që është në bazë të rregullave me punu diçka, që thojmë na pak a shumë diçka, nuk e kanë punu asnjëherë” –  është shprehur Rudari. 

Për punëtorët që Azemi kishte pretenduar se kompania i kishte sjellur në vend të grevistëve, Rudari ka thënë se është i informuar.

“Po edhe unë atë info e kam që punëtorë ka pru, të vet. Jo (punëtorë) zëvendësues, punëtorë të tij se dallon ajo. Ai ka punëtorë edhe në filiale tjera. Jo të Qendrës jo, megjithëse të Qendrës kanë punu disa punëtorë sa më kanë tregu, jo të gjithë, disa kanë mbajt grevë, disa kanë punu” – ka njoftuar Rudari.

Ai gjithashtu ka njoftuar se Inspekorati është i informuar për të gjitha dhe e ka vizituar Qendrën e Studentëve.

Sipas tij, Qendra e Studentëve të enjten më 29.02.2024, ka qenë e pastruar.

“Sa kam informata e kanë afru situatën komplet, sot është e pastrume komplet Qendra e gjitha konviktet” – ka përfunduar ai.

Së fundi, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës më 28.02.2024 kanë votuar pro vazhdimit të grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Sipas Ligjit për greva, në nenin 13 te mbrojtja e të drejtave të punësuarve gjatë grevës thuhet se “Gjatë grevës së organizuar sipas kushteve të përcaktuara me këtë Ligj, punëdhënësit nuk mund të punësojnë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë.”

Ndërkaq, sipas nenit 25 në këtë Ligj, me gjobë prej pesëqind (500) deri në pesëmijë (5,000) euro dënohet për kundërvajtje, punëdhënësi apo personi juridik ose personi përgjegjës i personit juridik, në qoftë se pengon të punësuarit për të marrë pjesë në grevë, përdor masën e dhunës për të përfunduar grevën apo pranon punëtorë të rinj, të cilët do t’i zëvendësonin pjesëmarrësit e grevës.

Po ashtu, në nenin 16 rreth sigurimit të minimumit të procesit të punës, thuehet se Këshilli Grevist ka për detyrë që gjatë kohës së grevës të bashkëpunojë me organin punëdrejtues të organizatës, përkatësisht me punëdhënësin për të siguruar minimumin e procesit të punës dhe të prodhimit, kur një punë e tillë është e domosdoshme për jetën dhe sigurinë e qytetarëve ose është kusht i pazëvendësueshëm i jetës dhe punës së qytetarëve.

Këshilli Grevist është organ i përkohshëm i zgjedhur nga të punësuarit që përfaqëson interesat e të punësuarve dhe udhëheq e koordinon grevën në emrin e tyre.