Rritja Ekonomike nën Parashikimet e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook shkroi se rritja ekonomike në vitin e parë të qeverisjes së tij tejkaloi rritjen e viteve të mëparshme.

“Në vitin e parë të qeverisjes arritëm të shënojmë normë reale të rritjes së ekonomisë prej 4 për qind. Këto të dhëna janë preliminare dhe mund të pësojnë ndryshime të vogla, por e rëndësishme është se kemi tejkaluar mesataren e shumë viteve që sillej rreth 3 për qind,” kishte shkruar Kryeministri Mustafa.

Ai këtë rritje ekonomike ia atribuoi investimeve private, sidomos të nxitura edhe nga investimet e huaja direkte.

“Edhe pse Kosova ka nevojë për rritje më të lartë, duhet të vlerësojmë si zhvillim tejet pozitiv se rritja ekonomike prej 4 për qind në vitin 2015 është e gjeneruar nga investimet private, sidomos të nxitura edhe nga investimet e huaja direkte,” vijoi postimi i Mustafës.

Por sipas shënimeve të Agjencisë së Statistikave dhe Raportit të Zhvillimit Makroekonomik të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo rritje është 3.5 për qind dhe është shkaktuar kryesisht nga kërkesa e brendshme, ndërsa nuk parashihen ndryshime të mëdha të rritjes edhe këtë vit.

http://kallxo.com/ask-ja-konfirmon-rritjen-ekonomike-3-5-per-qind

sipas ASK-së dhe BQK-së, konsumi dhe investimet kontribuuan pozitivisht në këtë rritje, ndërsa eksportet neto, që është dallimi ndërmjet eksporteve dhe importeve, patën kontribut negativ për shkak të rënies së të ardhurave nga tregtia në tremujorin e fundit të vitit 2015 e nxitur nga rënia e eksportit të metaleve bazë, të cilat janë edhe produktet kryesore që Kosova eksporton.

Kontributi i investimeve në rritjen reale ekonomike ishte 4.1 pikë përqindjeje. Ndërsa, niveli i investimeve private u rrit si rezultat i shtimit të investimeve të huaja direkte (IHD) dhe rritjes së qasjes në kreditë hipotekare.

Konsumi privat u rrit me 0.9 pikë përqindjeje, i nxitur nga një rritje prej 9 për qind të remitancave si dhe pagave dhe pensioneve më të larta që prej vitit 2014. Eksportet neto patën një kontribut negativ prej 1.3 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike si rezultat i rënies së eksporteve në tremujorin e fundit.

http://kallxo.com/shpenzime-vetem-per-konsum

Në aspektin e prodhimit, kontribuuesi kryesor në rritjen reale ekonomike të vendit ishin shërbimet e ofruara kryesisht nga investimet private dhe ndërtimi i rrugëve, me një pjesëmarrje prej 1.3 pikë përqindjeje, ndërsa bujqësia, pylltaria dhe peshkimi në total kontribuuan me 0.7 pikë përqindjeje dhe industria me 0.4 pikë përqindjeje.

Në vitin 2015, prurjet neto të investimeve të huaja direkte u rritën më shumë se dy herë, në rreth 5.3 për qind dhe kryesisht pjesa më e madhe e këtyre prurjeve erdhën nga vendet e BE-së, por një pjesë e konsiderueshme e tyre për vitin 2015 erdhën nga Turqia. Pasuritë e paluajtshme, qiratë dhe aktivitetet e biznesit vijuan të tërheqin pjesën më të madhe të këtyre investimeve.

I pari i Qeverisë, po ashtu kishte shkruar se viti 2016 kishte filluar më mirë se ai 2015 dhe se për këtë vit ai pret që rritja reale ekonomike të jetë më e lartë. Ai këtë vlerësim e dha gjatë vizitave që po bën nëpër bizneset vendore.

“Të dhënat aktuale tregojnë se viti 2016 ka filluar më mirë se viti 2015. Rrjedhimisht është e arsyeshme të presim që rritja ekonomike për vitin 2016 të jetë më e lartë. Këtë vlerësim e shohim nga bizneset që i vizitojmë çdo ditë, e shohim nga ekspertët vendorë dhe nga organizata ndërkombëtare,” shkroi Kryeministri Mustafa.

Por ekonomia e Kosovës sipas parashikimeve makroekonomike të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në vitin 2016 pritet të ketë rritje reale prej rreth 3.2 për qind. Kjo rritje pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa eksportet neto parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).

Konsumi si komponentë kryesore e kërkesës së brendshme pritet që edhe gjatë vitit 2016 të ketë kontributin kryesor në rritjen ekonomike. Rritja reale e konsumit të përgjithshëm pritet të jetë 2.1 për qind, bazuar në pritjet që konsumi privat do të rritet me 2.6 për qind dhe konsumi publik do të mbetet i njëjtë me vitin e kaluar.

Faktorët që pritet të ndikojnë në rritjen e konsumit privat gjatë kësaj periudhe janë rritja e remitancave dhe rritja e kredive.

Sipas parashikimeve të BQK-së, deri në fund të vitit 2016, remitancat pritet të shënojnë normë vjetore të rritjes prej rreth 3 për qind. Gjithashtu, kreditë për ekonomi familjare, të cilat në dy vjetët e fundit kanë shënuar rritje të konsiderueshme, 10.2 për qind në vitin 2014 dhe 9.7 për qind në vitin 2015, do të vazhdojnë këtë trend të rritjes edhe në vitin 2016.

Eksportet neto të mallrave dhe shërbimeve në vitin 2016 pritet të vazhdojnë të kenë ndikim negativ në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto. Ky ndikim negativ i eksporteve neto i atribuohet rritjes së kërkesës së brendshme, e cila pritet të ndikojë në rritjen e importit.

Parashikimet aktuale janë se eksportet do të rriten për rreth 3.4 për qind në terma real, ndërsa importet pritet të rriten për rreth 3.7 për qind. Ky nivel më i lartë i importit të mallrave krahasuar me eksportin do të ndikojë që deficiti tregtar i mallrave të thellohet për rreth 3.8 për qind në terma realë. Në anën tjetër, pozicioni tregtar pozitiv në kuadër të shërbimeve pritet të jetë i njëjtë ashtu siç ishte në vitin e kaluar.

Rritja ekonomike në Kosovë nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në 2016 dhe 2017, nëse marrim të mirëqenë rritjen e qëndrueshme të konsumit, rritjen e eksporteve dhe investimet në Qendrën Skitare në Brezovicë.