Uran Ismajli - Minister i Shendetsise

Reagon Uran Ismaili për arrestimin e dy drejtorëve të Financave në MSh

Ministri i Shëndetësisë, Uran IsmaIli ka reaguar pas arrestimit të dy drejtorëve të financave në Ministrinë e Shëndetësisë nën dyshimin për keqpërdorim të avancave.

Ismaili ka njoftuar se ndaj zyrtarëve të arrestuar do të merren menjëherë të gjitha masat e pezullimit.

Tutje, Ismaili ka thënë se do të vazhdoj bashkëpunimin me organet e drejtësisë për të zbardhur çdo keqpërdorim të parasë publike.

“Lufta jonë kundër korrupsionit dhe krimit është e pakthyeshme, e drejtë dhe në dobi të qytetarëve. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha organet e drejtësisë për t’u ofruar gjithçka që kërkohet që kjo çështje të zbardhet në mënyrë që çdo keqpërdorim i parasë publike të ndalet njëherë e përgjithmonë”, ka përfunduar Ismaili në postimin e tij në Facebook.

Dy drejtorë të Financave të Ministrisë së Shëndetësisë janë arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, nën dyshimin për përvetësim në detyrë dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Policia ka njoftuar se i dyshuari H.D, 54 vjeçar, në cilësinë e U.D. drejtorit të Financave në Ministrinë e Shëndetësisë dyshohet se duke mos përmbushur autorizimet e tij ligjore gjatë vitit 2017 dhe 2018 në raport me tërheqjet e avancave për udhëtimet jashtë vendit për zyrtaret e AKPM-së, të cilat mjete dyshohet se janë tërhequr për udhëtimet zyrtare që nuk kanë ndodhur fare, pra janë fiktive dhe për te cilat nuk ekziston dokumentacion përkatës që e dëshmon arsyen e tërheqjeve.

Policia ka njoftuar se shuma e keqpërdorimit për vitin 2017-2018 është 132 mijë e 245 euro.

Ndërsa i dyshuari i dytë, M.R, 66 vjeçar, në cilësinë e drejtorit të Financave në Ministrinë e Shëndetësisë në periudhën 2014-2017  dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke lejuar tërheqjen e avancave për udhëtime jashtë vendit për zyrtaret e AKPM-së e të cilat udhëtime nuk kane ndodhur fare dhe tërheqja e mjeteve është lejuar në kundërshtim me ligjin dhe pa dokumentacion përkatës.

I njëjti për periudhën 2014- 2017 ka keqpërdorur 1 milion e 170 mijë e 854 euro.

Policia ka njoftuar se të gjitha këto tërheqje të mjeteve  në  emër të avancave të AKPM-së, në kundërshtim me ligjin janë dorëzuar tek i dyshuari M.S. i arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion më 28 mars të këtij viti.

Pas intervistimit personat e  dyshuar me aktvendim të prokurorit janë dërguar në ndalim  për 48 orë.