Kryeministri Isa Mustafa dhe zyrtari i BE-së, Christian Danielsson - Foto: KALLXO.com

Qeveria Zotohet të Plotësojë Kriteret për Liberalizimin

Kryeministri Isa Mustafa ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave me drejtorin e përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson.

Shefi i Qeverisë është zotuar se institucionet e Kosovës do të punojnë për plotësimin e dy kritereve të mbetura për heqjen e vizave për qytetarët kosovëarë nga vendet evropiane.

“Do të punojmë në ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi, në bashkëpunim me opozitën, banorët e asaj ane dhe të gjithë akterët. Por, territori i Kosovës mbetet i pandryshuar me këtë vijë kufitare”, theksoi kryeministri.

Po ashtu, kryeministri tha se ka dhënë zotimin edhe rreth kriterit tjetër të kërkuar për liberalizim – atë të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, kryeministri Mustafa tha se vlerësuan se duhet të punojmë në çuarjen përpara në dialogut me Serbinë.

“Me prioritet do të angazhohemi në marrëveshjet e arritura dhe me prioritet do të hapim edhe çështje të tjera me interes”, theksoi ai.

Ndërsa, zyrtari i BE-së,Christian Danielsson, tha se me kryeministrin Mustafa kanë pasur një diskutim shumë të mirë. Ai tha se kanë diskutuar edhe për reformat, të cilat sipas tij duhet të çohen përpara.

“Ne jemi të gatshëm të ju ndihmojmë në çuarjen përpara të reformave dhe implementimin e MSA-së dhe në realizimin e rrugës tuaj evropiane“, tha Danielsson.