Qeriqi u Intervistua për Protestën e 3 Gushtit

Xhevdet Qeriqi është intervistuar sot në Stacionin Policor Numër 2 për protestën para qeverisë të zhvilluar më 3 gusht.

Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Ushtarëve të UÇK-së, tha se është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me disa shishe të hedhura në oborrin e qeverisë gjatë kësaj proteste.

Ai bëri të ditur për KALLXO.com se intervista ka zgjatur 10-15 minuta.

Ditën e kësaj proteste në Kuvend po votohej për Gjykatën Speciale, ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi derisa kthehej nga Kuvendi në ndërtesën e qeverisë i kishte përshëndetur veteranët që po protestonin kundër zvarritjes së publikimit të listave të tyre.

Veteranët përshëndetjen Thaçit atë ditë ia kishin kthyer me fjalën hajn.

Qeriqi tha për KALLXO.com se nuk pranoi të japë deklaratë në stacionin e policisë, ngase nuk dëshiron të flasë kundër shokëve të tij.

“Ata më kanë njohur rreth procedurave të tyre që nëse nuk jap dëshmi mund të kem pasoja,” shpjegoi Qeriqi.

Ai u arrestua pas protestës së 7 gushtit, kur veteranët në kërkim të publikimit sa më të shpejtë të listave të tyre përfundimtare rrëzuan një pjesë të rrethojës së qeverisë.

Qeriqi këtë arrestim e quajti të bërë me ndërhyrje politike, pasi tha se ishte ndaluar për 48 orë nga policia, ndërsa pa kurrfarë shpjegimi u lirua pas 26 orësh.

Veteranët e Këshillit zhvilluan edhe shumë protesta tjera në kërkim të publikimit të listave me të cilat u njihet kontributi gjatë luftës dhe kompensohen materialisht ata që janë të papunë.