Përfundon takimi më shumë se 2-orësh i udhëheqësve të OVL UÇK-së me Kurtin

Udhëheqësit e kategorive të dala nga lufta kanë përfunduar takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Ushtruesit të Detyrës së kryetarit të Organizatës të Veteranëve të Luftës së  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, Kurti ka thënë se do ia dërgojë organizatës një propozim me shkrim.

Ky takim ka zgjatur më shumë se dy orë, e sipas udhëheqësve të kategorive të dala nga lufta një nga cështja që është diskutuar ka qenë lista e veteranëve.

Udhëheqësit kanë thënë se për këtë Kurtit iu janë përgjigjur se “kjo është çështje e Gjykatës”.

Sipas Kryetarit të Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jasharit, veteranët do të vazhdojnë me protesta edhe në seancën tjetër kur do të bëhet leximi i dytë për projektligjin për pagën minimale.

Ky takim është thirrur dje nga Kurti pas një proteste të veteranëve disaorëshe pranë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë takim, Kurti kishte njoftuar dje nga salla e Kuvendit të Kosovës se do të anulojë pjesëmarrjen në forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe kryesuesin e Komisionit për Buxhet, Armend Muja dhe do t’i takojnë me udhëheqësit e OVL-UÇK-së.

Pas kësaj, një nga këshilltaret e Kurtit, kishte dalë në oborrin e Kuvendit ku ia kishte dorëzuar ftesën UD Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.

Protesta e djeshme ishte paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.