Protesta e veteranëve të UÇK-së (06.06.2022)

Klinaku iu bën thirrje deputetëve: Mos e miratoni projektligjin diskriminues ndaj veteranëve të UÇK-së

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, iu ka bërë një thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta miratojnë projektligjin e pagave, të cilin ai e ka quajtur diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së.

“Të nderuar deputetë, që ju ka mbetur pak dinjitet! Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Ai iu ka bërë thirrje edhe deputetëve të pakicave.

“Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, sepse ju jeni në bashkëqeverisje aty për interesat e pakicave që i përfaqësoni”, ka shtuar ai.

Klinaku ka paralajmëruar protestë nëse miratohet ky projektligj.

“Në të kundërtën, nëse nuk i dëgjoni thirrjet, do t’na detyroni që të organizojmë protestë për të qëndruar para institucioneve natë e ditë”, ka përfunduar Klinaku.

Veteranët kanë protestuar me kërkesën që të përfshihen në projekligjin e pagave.

Ministi i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë e veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë diskriminuar në vitin 2017 kur ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave dhe jo tash në projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale.

Sipas Muratit, në kohën kur ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave është bërë fshirja e nenit 18, i cili u ka mundësuar veteranëve përfshirjen në rritjen e pagës minimale tash.