Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti u propozon veteranëve të UÇK-së hartimin e një ligji të ri për pensionet

Kryeministri i vendit, Albin Kurti iu ka përcjellur propozimin veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në lidhje me pensionin e veteranit, duke propozuar që bashkarisht të hartojnë një ligj të ri.

Ky ligj i ri gjithashtu do të niste një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka bërë të ditur se propozimi i kryeministrit i është përcjellur ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

“Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar”, ka bërë të ditur Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se me këtë besojnë se do të ketë një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, sipas tij, “duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popull, duke iu mundësuar një trajtim të dinjitetshëm të gjithë atyre që kanë kontribuar”.

Po ashtu, Kryeziu ka njoftuar se alternativë tjetër ndaj këtij propozimi të kryeministrit Kurti, mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizim të veteranëve.

“..i cili në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, për KALLXO.com.

Kujtojmë që në muajin qershor ishin organizuar dy protesta nga veteranët e OVL UÇK-së para Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkonin që të përfshihen në Ligjin për Paga.

Më pas, me 17 qershor, kryeministri Albin Kurti i kishte pritur në takim përfaqësuesit e veteranëve. Takimi, megjithëse nuk kishte prodhuar një ‘pajtim’ mes palëve, ishin dakorduar që kryeministri të iu dërgojë një propozim me shkrim, që të zgjidhet kjo çështje.

Më 19 janar 2021 Gjykata e Prishtinës kishte shpallur vendimin në rastin e njohur si “Veteranët”, duke i liruar nga akuza 12 persona të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Prokuroria pretendonte se nga provat e siguruara ishtevërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88,769,217.04 euro.

 

Përfundon takimi më shumë se 2-orësh i udhëheqësve të OVL UÇK-së me Kurtin