PSD kërkon interpelancë për pagën minimale në Kosovë

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka bërë të ditur se PSD-ja ka kërkuar interpelancë ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për pagën minimale në Kosovë.

“Paga minimale është pragu nën të cilën nuk mund të paguhet askush. Niveli i saj është ndër treguesit kryesorë për mirëqenien e një vendi. Aty ku paga minimale është e ulët, niveli i shfrytëzimit të punëtorëve është i lartë”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Sipas Ymerit paga aktuale minimale në Kosovë nuk arrin të garantojë përmbushjen e nevojave bazike në jetë.

“PSD angazhohet për një pagë minimale që i garanton secilit përmbushjen e nevojave bazike për jetë. Niveli aktual prej 130 (për të punësuarit deri në 35 vjeç), respektivisht 170 eurosh (për të tjerët), është larg prej arritjes së këtij synimi. Ftojmë të gjithë deputetët ta japin kontributin e tyre rreth kësaj çështjeje me rëndësi”, ka shkruar tutje Ymeri.