Protestë për Tri Paga

105 punëtorë që pastrojnë objektet shkollore të komunës së Pejës që tre muaj nuk kanë marr paga. Për këtë arsye ata kanë protestuar sot para Komunës.

Fillimisht, këta punëtorë ishin pjesë e kompanisë së kontraktuar përmes tenderit nga Komuna e Pejës. Mirëpo, një mosmarrëveshje mes palëve rezultoi me prishjen e kontratës në nëntor të vitit të kaluar.

Në këto rrethana, Komuna u bëri kontrata mbi vepër 105 punëtorëve të pastrimit. Por, që nga ajo kohë punëtorët në fjalë nuk kanë marrë paga, ndonëse gjatë gjithë kohës i kanë kryer obligimet e tyre.

Kjo situatë i shtyri ata që të protestojnë para Komunës, duke kërkuar t’u paguhen rrogat.

Njëri prej tyre është Shefqet Pelaj, i cili punon në shkollën “Lidhja e Pejës” në Novosellë.

Për KALLXO.com ai thotë se ka dalë të protestojë në shenjë pakënaqësie për mosmarrjen e pagave të tre muajve të fundit. Gjendja e rëndë ekonomike dhe obligimet familjare thotë si i kanë shtyrë të protestojnë para Komunës.
“Merre me mend, unë dhe të gjithë jemi në kredi. Që pesë herë banka me ka thirrë, ka thanë pse s’ke paguar, je i dënuar deri me tash 60 euro, kamata që m’u ka shtu në kredi. Domethënë edhe pagën me marrë më duhet ta paguaj kredinë” tha Pelaj.

Ai thotë së as me kontratat mbi vepër që ka ofruar Komuna nuk janë të kënaqur, sepse nuk kanë sjellë zgjidhje të problemit të pagesës së pagës. Pelaj shton se do të dalin në vendin e punës por nuk do të pastrojnë derisa nuk i marrin rrogat.
I pyetur nëse ai dhe kolegët e tij janë të kënaqur me kontratat mbi vepër, Pelaj deklaron: “Po çfarë të kënaqni. Ata do fletë na kanë dhanë qaty, na kem nënshkrua, na kanë premtuar dhe vazhdueshëm premtojnë, kurrë nuk realizojnë kurgjo. Ne jemi në tmerr o burrë”.
Me protestuesit ka komunikuar zyrtari i Financave i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Pejës, Ramë Hysenaj. Sipas tij, Ministria e Financave ka kërkuar edhe një dokument shtesë para se t’i lëshojë mjetet në llogaritë e punëtorëve protestues.

Hysenaj shfaqi shpresën se ky problem do të zgjidhet gjatë ditës së sotme në Ministrinë e Financave.

http://kallxo.com/trekendeshi-i-akuzave-per-borxhe/

Javën e kaluar, zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, tha për KALLXO.com se pas prishjes së marrëveshjes me fituesin e tenderit, Komuna ka vendosur që punëtorëve t’u bëjë kontratë mbi shërbim për tre muaj deri sa të zgjidhet problemi i tyre.

Zëdhënësi thotë se kjo procedurë ka marrë kohë deri sa Komuna e Pejës e ka kryer, ndërsa procedurat e tjera kanë ngecur në Ministrinë e Financave.
“Procedurat e kontratës në shërbim janë gjëra që proceduralisht janë pak të zgjatura dhe të komplikuara. Kështu që nuk është arrit të bëhet shpejt, por është kryer edhe kjo punë. Po tash ka ardhur problemi tek pagesat, meqenëse është fillimi i vitit dhe Ministria e Financave ka një volum të madh të lëndëve për të kryer, pagesat për 105 punonjësit akoma nuk janë realizuar deri më sot” tha Zefaj për KALLXO.com të premten e kaluar.

Ai bëri me dije që Komuna e Pejës do t’i mbajë me kontratë mbi shërbim 105 punëtorët deri sa të kryhet proceduara e prokurimit për hapjen e tenderit.

Për problemin e punëtorëve me paga dhe mosmarrëveshjen e Komunës me kompaninë, KALLXO.com ka raportuar disa herë.

http://kallxo.com/105-punetore-ne-rruge-pas-mosmarreveshjeve-komune-kompani/