Xhevahire Izmaku

Protestë në Kuvend Kundër Deklaratave të Sami Kurteshit

Deputetja  e Partisë Demokratike të Kosovës , Xhevahire Izmaku, kërkoi disa minuta ndërprerje të seancës në shenjë proteste ndaj deklaratave fyese të Sami Kurteshit ndaj Ministres së Drejtësisë , Dhurata Hoxha.

“Më lejoni pasi që dje ne pritëm një reagim apo kërkimfalje [nga Sami Kurteshi] ne sot do të organizojmë një protestë këtu në Kuvend dhe të ndërpresim seancën për disa minuta,” tha Izmaku.

Deputetet e PDK-së dje lëshuan seancën për të njëjtën arsye, ndërkaq sot deputetët kundërshtuan këtë protestë duke thënë se po keqpërdoret foltorja e Kuvendit.

Këto kundërshtime i bënë deputetët Daut Haradinaj nga AAK-ja dhe Shqipe Pantina duke thënë se të gjitha gjuhët denigruese që janë bërë ndaj zyrtarëve dhe nga zyrtarët duhet të dënohen.

Ndërkaq deputeti Arben Gashi nga LDK-ja tha se gjuha e rrugës nuk duhet të sillet në Kuvend.

“Ajo gjuhë është gjuhë e rrugës, jo e Kuvendit dhe si e tillë nuk duhet të sillet këtu dhe nuk ka asgjë pozitive”, tha Gashi.