Prokurorja: Terrorizmi i Importuar

“Ky është vetëm një prej rasteve që kanë të bëjnë me fenomenin e terrorizmit, me të cilin kohëve të fundit është ballafaquar pothuajse tërë bota dhe për fat të keq është importuar edhe në Republikën e Kosovës,” tha prokurorja Drita Hajdari.

Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Betim Brahimaj dhe Enis Latifi, akuzohen nga Prokuroria Speciale për përgatitje të veprave të terrorizmit, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, ndërsa Fehmi Musa për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave.

Besnik Latifi e Milazim Haxhiaj ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit se në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit afër Prishtinës me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës, thuhet në aktakuzë.

Videon e përmendi në fjalën hyrëse prokurorja Hajdari. Edhe letrën e shkruar me alfabet latin e fjalë arabe që të akuzuarit dëshironin ta lexonin për shfaqje besnikërie ndaj liderit të organizatës terroriste ISIS.

Kjo letër prokurorja tha se u ishte zënë të akuzuarve në momentin e arrestimit.

“I betohemi mësuesit tonë luftëtarit (të fesë) Ebi Bekri Al Hysejni El Kurejshi El Bagdadi për dëgjueshmëri dhe zbatimin e urdhrave në raste të vështira deri në sakrificë,” thuhej mes tjerash në këtë letër.

Në seancën e sotme fjalën e tyre hyrëse e thanë edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve që kundërshtuan pretendimet e prokurores speciale Drita Hajdari.

Edhe në seancat e kaluara mbrojtja e ka kundërshtuar aktakuzën ndaj klientëve të tyre, por gjykata menjëherë ka hedhur poshtë pretendimet e avokatëve.

Të akuzuarit u arrestuan në gusht të vitit të kaluar pranë Liqenit të Badovcit.

Në fillim u dyshua se ata kishin për qëllim helmimin e ujit, por më pas kjo doli të mos ishte e vërtetë.

http://kallxo.com/policia-perforcon-badovcin-nisin-patrullimet-me-barke-video/

Megjithatë Ujësjellësi “Prishtina” ndërpreu furnizimin me ujë, ndërsa më pas në aktakuzë nuk u tha se ata donin helmimin e ujit të pijes.

http://kallxo.com/ndalet-uji-nga-badovci-pas-dyshimit-per-akt-terrorist/

http://kallxo.com/zbardhet-plani-i-te-arrestuarve-te-isis-te-liqeni-i-badovcit/