Gjykimi për vepra terroriste | Foto: KALLXO.com

Prokurorja Pyet a është Mëkat të Gënjesh Sipas Islamit

Në gjykimin e gjashtë personave për Rastin “Badovci”, pesë nga të cilët akuzohen për përgatitje të veprave terroriste dhe atyre kundër rendit kushtetues të vendit, ndërsa njëri për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, mbrojtjen është duke e paraqitur Enis Latifi.

Latifi nuk e pranoi në gjykatë deklaratën e tij të mëhershme të dhënë në polici, ngase tha se e ka nënshkruar nën presion, ndërsa ato që i kishte thënë në Qendrën e Paraburgimit në Pejë i pranoi pjesërisht.

Pastaj, pas pyetjeve që iu shtruan nga trupi gjykues, latifi ndërroi mendje, duke e pranuar si të tijën deklaratën e dhënë në polici.

Të akuzuarin së pari e mori në pyetje avokatja e tij Sabrije Jashari, pastaj edhe prokurorja Drita Hajdari.

Prokurorja Hajdari e pyeti Latifin për kontaktet e mundshme të tij me Zeqirja Qazimin, ish-imamin e xhamisë “El-Kudus” në Gjilan të dënuar në maj të këtij viti me dhjetë vjet burg për rekrutim në terrorizëm.

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/

Latifi mohoi ndonjë kontakt me Qazimin, por pranoi se një libër i shkruar nga Qazimi ishte i tij. Ky libër i ishte gjetur në shtëpi Enis Latifit. I akuzuari mohoi se e kishte lexuar atë.

I akuzuari për vepra terroriste tha se nuk e dinte çfarë kishte në makinën me të cilën bashkë me djalin e xhaxhait Besnik latifin po udhëtonin drejt liqenit të Badovcit.

Në atë makinë policia kishte gjetur dy uniforma ushtarake dhe një flamur të ISIS-it, ndërsa sipas aktakuzës gjashtë të pandehurit në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit afër Prishtinës me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Edhe në kompjuterin e tij Latifit i ishte gjetur një fotografi e pjesëtarëve të organizatës terroriste ISIS, ndërsa një anëtare e trupit gjykues e pyeti se pse ishte interesuar për ISIS-in, ndërsa në gjykatë thoshte se nuk e përkrahë atë.

“Kam shikuar për ISIS-in për të kuptuar pse po vrahen njerëzit,” tha Latifi.

Pasi Latifi gjatë gjithë kohës ndryshoi fjalët duke u munduar ta shfajësojë veten, prokurorja Drita Hajdari e pyeti atë se a është mëkat sipas islamit që të gënjesh.

“Sigurisht se po,” u përgjigj Latifi.

Në seancën e kaluar të këtij procesi gjyqësor të zhvilluar më 8 qershor, mbrojtjen e dhanë të akuzuarit Besnik Latifi e  Fehmi Musa.

Fehmi Musa për shkuarjen e kosovarëve në Siri e akuzoi ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhajn.

http://kallxo.com/akuzuari-badovcit-fajtor-per-rekrutimet-ne-siri-eshte-enver-hoxhaj/