Takimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës – Foto: KPK

Prokuroria Speciale së shpejti me kryeprokuror të ri

Të mërkurën pritet që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të votoj për kryeprokurorin e ri të Prokurorisë Speciale.

Kryeprokurori aktual, Reshat Millaku, ka dalë në pension më 4 prill.

E për pozitën e të parit të Prokurorisë Speciale kanë aplikuar katër kandidatë: Armend Hamiti, Atdhe Demaj, Blerim Isufaj e Haki Gecaj.

Kandidatët e sipërpërmendur janë intervistuar nga komisioni vlerësues për emërimin e kryeprokurorit të PSRK-së dhe të mërkurën në takimin e 165 të KPK-së pritet që komisioni të rekomandoj dy nga kandidatët me të poentuar për t`u emëruar për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) e ka monitoruar procesin e rekrutimit për kryeprokuror të ri të Prokurorisë Speciale.

Mënyra e emërimit për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

Pas intervistimit dhe poentimit të kandidatëve për kryeprokuror, komisioni vlerësues është i thirrur që të përgatisë një tabelë me vlerësimet e përgjithshme për secilin kandidat veç e veç, e cila tabelë më pas i dërgohet Këshillit Prokurorial të Kosovës, pastaj Këshilli i shqyrton propozimet e komisionit dhe poashtu edhe ankesat/kundërshtimet e paraqitura nga kandidatët.

Këshilli voton për secilin kandidat veçmas dhe përmes votimit të fshehtë.

Nëse kandidati i parë nuk merr shumicën e votave pas votimit, atëherë Këshilli voton për kandidatin e dytë të propozuar në të njëjtën procedurë votimi si për kandidatin e parë.

Nëse kandidati i dytë nuk merr shumicën e votave të Këshillit, konkursi do të rihapet.

Kryeprokurori i ri do të emërohet nga Këshilli dhe do të ketë mandat katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat shtesë.